Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "I Dërguari i Allahut e lexoi këtë ajet: “Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa ajete të të cilit janë të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë. Ato janë themelet e Librit, kurse disa (ajete) të tjera janë jo krejtësisht të qarta (me kuptime alegorike). Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin ajetet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t'i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu. Ndërkaq, ata që janë thelluar në dijeni, thonë: "Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto (ajete të qarta e alegorike) janë nga Zoti ynë! Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.” (Ali Imran, 7) - dhe tha: “Kur t'i shohësh ata që ndjekin ajetet jo krejtësisht të qarta, këta janë ata të cilët Allahu i ka përmendur. Andaj, ruajuni prej tyre!” Ky hadith është sahih. - Muttefek alejhi.
explain-icon

Shpjegimi

Profeti ﷺ e lexoi këtë ajet: “Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa ajete të të cilit janë të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë. Ato janë themelet e Librit. Kurse disa (ajete) të tjera janë jo krejtësisht të qarta (me kuptime alegorike). Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin ajetet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t'i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu. Ndërsa ata që janë thelluar në dijeni, thonë: "Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto (ajete të qarta e alegorike) janë nga Zoti ynë! Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.” (Ali Imran, 7) Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar tregoi se Ai është që ia zbriti Profetit të Tij Kuranin, i cili përfshin ajete me kuptim të qartë, vendimet e të cilit janë të ditura e nuk ka pështjellime, e të cilat janë themelet e Librit dhe referenca e tij, respektivisht janë referencë kur ka mospajtime. Ka edhe ajete të tjera që bartin më shumë se një kuptim, kuptimi i të cilave disa njerëzve u përzihet, ose mendojnë se ka kontradiktë midis tyre dhe ajeteve të tjera. Më pas Allahu e sqaroi se si duhet të sillen njerëzit me këto ajete; kështu që ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, i braktisin ajetet e qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë, e i marrin ajetet jo krejtësisht të qarta, e që bartin disa kuptime, duke synuar me këtë të ngjallin dyshime dhe t'i devijojnë njerëzit, si dhe synojnë t'i interpretojnë sipas asaj që pajtohet me dëshirat e tyre, ndërsa ata që janë të palëkundur në dituri, e dinë se këto janë ajete jo krejtësisht të qarta, kështu që i kthejnë tek ajetet e qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë; u besojnë dhe besojnë se janë prej Allahut të Lartësuar, e nuk mund të pështjellohen ose të kenë kontradiktë mes vete, por vetëm ata me mendje të shëndoshë mund të marrin mësim. Pastaj Profeti ﷺ i tha nënës së besimtarëve, Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se, kur t'i shohësh ata që ndjekin ajetet jo krejtësisht të qarta, këta janë ata të cilët Allahu i ka përmendur në fjalën e Tij: "Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta", andaj ruajuni prej tyre e mos i dëgjoni!

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Ajetet muhkemat të Kuranit janë ato, domethënia dhe kuptimi i të cilave është i qartë, ndërsa muteshabihat janë ato që kanë më shumë se një kuptim dhe kanë nevojë për këndvështrim dhe të kuptuar (për t'i kuptuar drejt).
  • Paralajmërim kundër shoqërimit me të devijuarit, bidatçinjtë dhe ata që hedhin dyshime për t'i mashtruar njerëzit dhe për t'i vënë ata në mëdyshje.
  • Në fund të ajetit, në fjalën e Allahut të Lartësuar: "Këtë e kuptojnë vetëm mendarët", ka demaskim ndaj atyre që priren nga e pavërteta dhe ka lavdërim për të thelluarit (në dije). Pra, ai që nuk rikujtohet dhe nuk merr mësim, si dhe e ndjek egon e tij, nuk është prej mendarëve.
  • Ndjekja e teksteve jo krejtësisht të qarta është shkak për devijimin e zemrës.
  • Është obligim që ajetet jo krejtësisht të qarta, të cilave mbase nuk mund t'u dihet kuptimi, të kthehen tek ajetet e qarta.
  • Allahu i Lartësuar disa ajete të Kuranit i ka bërë të qarta dhe disa jo krejtësisht të qarta, si sprovë për njerëzit, në mënyrë që besimtarët e vërtetë të dallohen nga njerëzit e devijuar.
  • Fakti që në Kuran ka ajete jo krejtësisht të qarta e shpërfaq epërsinë e dijetarëve ndaj të tjerëve dhe është tregues se mendjet janë të mangëta, prandaj duhet t'u dorëzohen Krijuesit të tyre dhe ta konfirmojnë se janë të paafta.
  • Vlera e të qenit i thelluar në dije dhe domosdoshmëria e qëndrueshmërisë në të.
  • Komentuesit e Kuranint i kanë dy mendime për ndaljen te fjala "Allahu", tek ajeti: "Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu dhe ata që janë të thelluar në dijeni." Ata që ndalen te fjala "Allahu", shprehjes tevil ia japin kuptimin: njohja e realitetit të një gjëje, që Allahu atë dije e ka fshehur për Veten dhe që nuk ka mënyrë se si të perceptohet ajo, si çështja e shpirtit dhe Kiametit (se kur do të ndodhë). Që do ta kishte kuptimin: "Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu." Ndërkaq, të thelluarit në dije u besojnë atyre dhe realitetin e tyre ua lënë Allahut, kështu që dorëzohen dhe i pranojnë. Ndërkaq, ata që gjatë leximit vazhdojnë dhe nuk ndalen te fjala "Allahu", kuptimin do ta kishte: "Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu dhe ata që janë të thelluar në dijeni." Pra, shprehja tevil në këtë rast e ka kuptimin: shpjegim dhe qartësim. Rrjedhimisht, Allahu e di dhe e dinë edhe të thelluarit në dije, kështu që u besojnë atyre dhe i kthejnë tek ajetet e qarta.