Profeti ﷺ në këtë hadith sqaron se vdekja do të sillet në Ditën e Kiametit në formën e një dashi, i cili ka (ngjyrë) të bardhë dhe të zezë. Do të bëhet thirrja: "O banorë të Xhenetit!" Ata do t'i zgjasin qafat dhe do t'i ngrenë kokat për të shikuar. Ai pyet: "A e dini këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Dhe, të gjithë tanimë e shohin dhe e njohin. Pastaj thirrësi thërret: "O banorë të Xhehenemit!" Ata do t'i zgjasin qafat dhe do t'i ngrenë kokat për të shikuar. Ai pyet: "E njihni këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Dhe, të gjithë tanimë e kanë parë; pastaj ajo theret. Në atë rast thirrësi thotë: "O banorë të Xhenetit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje, dhe, o banorë të Zjarrit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje!” E, kjo do të jetë shtim për lumturinë e besimtarëve dhe hakmarrje për t'i dënuar jobesimtarët. Pastaj Profeti ﷺ lexoi ajetin: “Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.” (Merjem, 39) Dita e Kiametit bën që të ndahen banorët e Xhenetit dhe të Zjarrit, ku secili do të hyjë në atë që ka ndjekur dhe do të qëndrojë aty përgjithmonë. Keqbërësi pendohet dhe i bie pishman përse nuk ka bërë mirë, gjithashtu ai që u tregua i mangët i bie pishman përse nuk shtoi më shumë vepra të mira.