Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa lindur Dielli nga perëndimi. Kur të lindë dhe njerëzit ta kenë parë, të gjithë do të besojnë. Por, kjo është koha kur: “... nuk do t'i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë, ose nuk ka bërë ndonjë të mirë në besimin e tij.” (El Enam, 158) Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë dy persona që i kanë shtrirë rrobat e tyre pranë njëri-tjetrit, nuk do të arrijnë as t'i shesin, as t'i palosin. Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë personi që sapo e ka mjelë qumështin e devesë, nuk do të arrijë dot ta pijë. Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë personi që sapo e ka mbaruar ndërtimin e pusit të tij, nuk do të arrijë të nxjerrë ujë prej tij. Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë personi që e ka ngritur kafshatën pranë gojës, nuk do të arrijë dot ta hajë.” Ky hadith është sahih. - Muttefek alejhi.
explain-icon

Shpjegimi

I Dërguari i Allahut ﷺ në këtë hadith na tregon se një nga shenjat e mëdha të Kiametit është se Dielli do të lindë nga perëndimi, në vend të lindjes (siç ndodh zakonisht), e me ta parë njerëzit, do të besojnë të gjithë, pa përjashtim. Në atë rast, jobesimtarit nuk do t'i bëjë dobi besimi e as veprat e tij të mira dhe pendimi nuk do të bëjë dobi. Pastaj Profeti ﷺ tregoi se Kiameti do të vijë befas, madje do të ndodhë kur njerëzit do të jenë në gjendjet dhe punët e jetës së tyre (të përditshme). Kështu, Kiameti do të ndodhë e shitësi dhe blerësi do t'i kenë ta shtrira rrobat e tyre dhe nuk do të mund t'i shesin e as t'i palosin. Kiameti do të ndodhë, saqë njeriu do ta marrë qumështin e devesë së tij që milet, e nuk do ta pijë dot. Kiameti do të ndodhë, saqë njeriu do ta rregullojë pusin e tij dhe do ta suvatojë, e nuk do të pijë dot prej tij. Kiameti do të ndodhë, saqë njeriu do ta ngrejë kafshatën e tij në gojë për të ngrënë, por nuk do ta hajë dot.

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Islami dhe pendimi janë të pranuara derisa të lindë Dielli nga perëndimi.
  • Inkurajimi për t'u përgatitur për Kiametin me besim dhe vepra të mira, sepse ai do të vijë befas.