Profeti ﷺ në këtë hadith na sqaron se Allahu i Lartmadhëruar ia ka ndaluar padrejtësinë Vetvetes dhe e ka bërë të ndaluar te krijesat e Tij, në mënyrë që askush të mos i bëjë padrejtësi ndokujt tjetër. Të gjithë njerëzit janë të devijuar nga rruga e vërtetë, përveç atyre që i udhëzon Allahu e u jep sukses, kështu që, atij që i kërkon Allahut udhëzim, Ai i jep sukses dhe udhëzim. Njerëzit janë të varfër dhe nevojtarë për Allahun në të gjitha nevojat e tyre, andaj, kushdo që i kërkon Allahut, Ai ia plotëson e nevojat dhe i mjafton. Ata mëkatojnë gjatë ditës e natës dhe Allahu i Lartësuar ia mbulon e ia fal robit kur ai kërkon falje. Ata nuk kanë mundësi aspak t'i bëjnë dëm e as dobi Allahut. Ata edhe sikur të bëheshin si njeriu më zemërmirë, kjo gjë aspak nuk do ta shtonte sundimin e Allahut. Ata edhe sikur të bëheshin si njeriu më zemërprishur, kjo gjë nuk do të pakonte sundimin e Tij, sepse janë të dobët e të varfër për Allahun; nevojtarë për Të në çdo gjendje, kohë e vend, e Ai është i Vetëmjaftueshmi, i Latësuari. Nëse ata do të qëndronin në një vend, njerëzit dhe xhinët, fund e krye, duke e lutur Allahun dhe Ai do t'i jepte secilit prej tyre atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që ka Allahu, sikurse një gjilpërë, nëse futet në det dhe pastaj hiqet, nuk do të pakësonte asgjë prej detit. Kjo është për shkak të vetëmjaftueshmërisë së përsosur të Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësar i ruan veprat e robërve, ua llogarit dhe i shpërblen për to në Ditën e Kiametit. Andaj, kushdo që e gjen shpërblimin për punën e tij të mirë, le ta falënderojë Allahun që i dha sukses t'i bindet Atij, e, kushdo që e gjen shpërblimin e punës së tij, të jetë diçka tjetër, atëherë le të mos qortojë askënd pos vetes - shpirtit, i cili është i prirur për të keqen, gjë që e dërgoi në humbje.