Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një ditë, ndërsa rrinim ulur tek i Dërguari i Allahut ﷺ, u shfaq një njeri fort rrobëbardhë e tejet flokëzi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi. Atë nuk e njihte asnjëri prej nesh. U ul pranë Profetit ﷺ duke i vendosur gjunjët e tij afër gjunjëve të të Dërguarit e duke i vënë shuplakat e duarve të tij mbi kofshët e veta, e në atë rast pyeti: “O Muhamed, më trego për Islamin.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Islami është të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhillëkun (këtë të fundit) po pate mundësi.” Ai i tha: “Ashtu është.” Ne u çuditëm, sepse vetë e pyeste, vetë ia vërtetonte! Ai tha: “Më trego për besimin (imanin).” I Dërguari tha: “Besimi është të besosh në Allahun, në melekët, në librat e Tij, në të dërguarit, në Ditën e Fundit dhe të besosh në paracaktimin (kaderin), qoftë i mirë, qoftë i keq.” Ai i tha: “Ashtu është." Më trego për ihsanin (përsosurinë e adhurimit).” I Dërguari tha: “Ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë Atë. Edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai gjithsesi të sheh ty.” Ai i tha: “Më trego për Kiametin.” I Dërguari tha: “Në lidhje me këtë i pyeturi nuk di më shumë sesa pyetësi.” Ai i tha: “Atëherë, tregomë për shenjat e tij.” I Dërguari tha: “(Kiameti vjen) kur robëresha ta lindë zonjën e saj dhe kur t’i shohësh këmbëzbathurit, të zhveshurit, fukarenjtë e barinjtë e deleve duke garuar për të bërë ndërtesa sa më të larta.” Pastaj, ai u largua, kurse ne qëndruam për një kohë. Më pas, i Dërguari më tha: “O Omer, a e di kush është ai që pyeste.” Unë thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai tha: “Ai qe Xhibrili dhe erdhi për t’jua mësuar fenë.” Sahih - Transmeton Muslimi
explain-icon

Shpjegimi

Omer ibën Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) na tregon se Xhibrili (alejhi selam) u shfaq para sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) në formën e një njeriu që nuk njihej. Karakteristikë e tij ishte se rrobat i kishte fort të bardha dhe ishte tejet flokëzi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi, fjala vjen, të shfaqej lodhja, pluhuri, flokët e ndarë dhe rrobat e pista. Askush nga të pranishmit nuk e njohu. Sahabët ishin ulur me Profetin ﷺ, kështu që ai u ul para Profetit ﷺ në atë mënyrë si ulet nxënësi dhe e pyeti për Islamin dhe kësisoj Profeti ﷺ u përgjigj me këto shtylla që përfshijnë pranimin e dy dëshmive, faljen e pesë namazeve ditore në vazhdimësi, dhënien e zekatit atyre që e meritojnë, agjërimin e muajit Ramazan dhe kryerjen e haxhillëkut për atë që ka mundësi. Pyetësi tha: "Ashtu është." Kështu, sahabët u befasuan nga pyetja e Xhibrilit (alejhi selam), që tregonte në pamje të jashtme se ai nuk e dinte atë, e pastaj ai e miratoi vetë përgjigjen e Profetit. Xhibrili (alejhi selam) pastaj e pyeti për besimin dhe ai iu përgjigj me këto gjashtë shtylla, të cilat përfshinin besimin rreth ekzistimit të Allahut të Lartësuar dhe cilësive të Tij, si dhe veçimin e Tij me veprat e Veta, bie fjala, krijimi, si dhe veçimin e Tij me adhurim. Githashtu besimin se melekët, që krijoi Allahu, janë robër të nderuar që nuk e kundërshtojnë Allahun e Lartësuar dhe me urdhrin e Tij ata punojnë. Besimin në librat që u janë shpallur të dërguarve nga Allahu i Lartësuar, si: Kurani, Tevrati, Inxhili e të tjerë. Besimin në të Dërguarit, të cilët e kumtojnë nga Allahu fenë e Tij. Prej tyre janë: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai dhe i fundit prej tyre është Muhamedi ﷺ dhe profetët e të dërguarit e tjerë. Besimin në Ditën e Fundit dhe gjërat që vijnë pas vdekjes, si: varri e jeta në varreza dhe se njeriu do të ringjallet pas vdekjes dhe do të merret në llogari, si dhe fundi i tij do të jetë ose në Xhenet, ose në Zjarr. Besimin se Allahu i paracaktoi gjërat sipas dijes së Tij si dhe ndodhën sipas urtësisë, shkrimit e vullnetit të Tij. Ato ndodhën mu ashtu siç i përcaktoi dhe i krijoi Allahu. Pastaj e pyeti për ihsanin (përsosurinë e adhurimit), kështu që i tregoi se ihsani është: "Ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë Atë." Nëse nuk mund ta realizojë të arrijë deri te kjo pozitë, atëherë: "Ta adhurojë Allahu e Lartësuar sikur ta shohë Allahu atë." Shkalla e parë është: adhurimi i Allahut sikur je duke e parë, kjo është shkalla më e lartë, ndërsa e dyta është shkalla e vëzhgimit (ndjenjës se Allahu të vëzhgon). Më pas e pyeti për Kiametin se kur do të ndodhë e Profeti ﷺ sqaroi se dijen rreth Kiametit e ka mbajtur Allahu të fshehtë në dijen e Tij, kështu që askush përveç Tij nuk e di, rrjedhimisht as i pyeturi e as pyetësi. Më pas e pyeti për shenjat e Kiametit e pastaj sqaroi se ndër shenjat e Kiametit është se do të shtohen robëreshat dhe fëmijët e tyre, ose do të shtohet mosrespektimi i nënave nga ana e fëmijëve duke i trajtuar si robëresha. Gjithashtu, barinjve të deleve dhe të varfërve do t'u hapet kjo botë në fundin e botës, kështu që do të mburren ndaj njëri-tjetrit rreth zbukurimit dhe ndërtimit të ndërtesave (të larta). Pastaj Profeti ﷺ tregoi se pyetësi ishte Xhibrili (alejhi selam) i cili erdhi për t'ua mësuar sahabëve këtë fe besimdrejtë.

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Karakteri i mirë i Profetit ﷺ, i cili ulej me shokët e tij e ata uleshin me të.
  • Butësia ndaj pyetësit dhe afrimi i tij është e ligjshme, në mënyrë që ai ta bëjë pyetjen pa kufizim dhe pa frikë.
  • Mirësjellja me mësuesin, ashtu siç bëri Xhibrili (alejhi selem) kur u ul para Profetit ﷺ, me një ulje të një njeriu të sjellshëm, që të marrë prej tij dije.
  • Shtyllat e Islamit janë pesë, kurse bazat e besimit janë gjashtë.
  • Kur Islami dhe besimi bashkohen, Islami shpjegohet me çështje të dukshme (të gjymtyrëve), kurse besimi me çështje të brendshme (të zemrës).
  • Sqarimi se feja ka shkallë të ndryshme. Shkalla e parë: islami, e dyta: imani (besimi), dhe e treta: ihsani (përsosuria e adhurimit), e cila është më e larta.
  • Pyetësi, në esencë, nuk ka njohuri rreth pyetjes dhe mosdija është shtytësi për ta parashtruar pyetjen, prandaj sahabët u çuditën se si (vetë) bënte pyetje dhe (vetë) e vërtetonte (përgjigjen).
  • Flllimi me gjërat më të rëndësishme, sepse në shpjegimin e Islamit u fillua me dy dëshmitë (shehadetin) dhe në shpjegimin e besimit u fillua me besimin në Allahun e Lartësuar.
  • Shtrimi i pyetjes dijetarëve nga ai që e di përgjigjen, me qëllim që t'i mësojë të tjerët.
  • Dija se kur do të ndodhë Kiameti është dije që Allahu e ka ruajtur për Vete.
explain-icon

Kategoritë