Profeti ﷺ në këtë hadith ka treguar se veprat janë gjashtë lloje, kurse njerëzit janë katër sosh. Gjashtë veprat janë: E para: atij që vdes pa i bërë shok Allahut asgjë (në adhurim), i takon Xheneti. E dyta: atij që vdes duke i bërë shok Allahut ndokënd (në adhurim), i takon Zjarri, ku do të qëndrojë përgjithmonë. Këto të dyja janë dy obligueset. E treta: vepra e mirë e synuar. Nëse dikush ka bërë nijet të bëjë një vepër të mirë dhe është i sinqertë në nijetin e tij, derisa ta ndiejë atë në zemër dhe Allahu ta dijë këtë nijet prej tij, kështu që atij i paraqitet një punë dhe nuk ka mundësi ta bëjë atë vepër të mirë, atëherë atij i shënohet një vepër e mirë e plotë. E katërta: veprimi i së keqes. Atij që bën një të keqe, i shënohet vetëm një e keqe. Këto të dyja llogariten një për një, pa shumëfishim. E pesta: një vepër e mirë që vlen sa dhjetë të mira si ajo. Kështu, atij që ka për qëllim një vepër të mirë dhe e bën, i shkruhen dhjetë vepra të mira për veprën e tillë. E gjashta: një vepër e mirë që është e barabartë me shtatëqind vepra të mira. Kështu, kushdo që jep një lëmoshë të vetme në rrugën e Allahut, kjo vepër e mirë i shënohet si shtatëqind vepra të mira. Kjo është nga mirësia dhe bujaria e Allahut të Lartmadhëruar ndaj robërve të Tij. Ndërkaq, katër llojet e njerëzve janë: I pari: ai që ka furnizim të bollshëm në këtë botë dhe është i lumtur në të; gjen ç'të të dojë në të, por është ngushtuar në raport me botën tjetër dhe fundi i tij është Zjarri. Ky është jobesimtari i pasur. I dyti: ai të cilit i është ngushtuar furnizimi në këtë botë, por çështja i është zgjeruar në botën tjetër dhe fundi i tij është Xheneti. Ky është besimtari i varfër. I treti: ai që është ngushtuar në këtë botë dhe në botën tjetër. Ky është jobesimtari i varfër. I katërti: ai që ka me bollëk (dhe i është zgjeruar) në këtë botë dhe në botën tjetër. Ky është besimtari i pasur.