Disa nga shokët e varfër të Profetit ﷺ u ankuan tek ai për varfërinë e tyre dhe paaftësinë për të dhënë pasuri për bamirësi, për të fituar shpërblimet e mëdha që i fitonin vëllezërit e tyre të pasur, dhe për të bërë vepra të mira si ata. Ata thanë: “Ata e falin namazin siç e falim ne, agjërojnë siç agjërojmë ne, por ata japin nga pasuria e tyre tepricën, ndërsa ne nuk kemi çfarë të japim!” Profeti ﷺ i udhëzoi ata drejt bamirësive që ata mund të bënin dhe u tha: "A nuk ju ka dhënë Allahu diçka që mund ta bëni si bamirësi për veten tuaj? Të thoni subhanallah (I Lartësuar është Allahu) është sadaka për ju. Të thoni Allahu Ekber (Allahu është më i Madhi) është sadaka. Të thoni elhamdulilah (Falënderimi i takon Allahut) është sadaka. Të thoni la ilahe il-lAllah (S’ka Zot të denjë për adhurim përveç Allahut) është sadaka. Urdhërimi për të mirën është sadaka, ndalimi nga e keqja është sadaka, madje edhe kur ndonjëri prej jush bën marrëdhënie intime me gruan e tij, është sadaka. Ata u habitën dhe thanë: "O i Dërguar i Allahut! A do të marrë ndonjëri prej nesh shpërblim për përmbushjen e epshit të tij?" Ai tha: "A nuk e shihni se, nëse ai do ta përmbushte atë në mënyrë të ndaluar, si p.sh. nëpërmjet imoralitetit etj, do të kishte mëkat? Po ashtu, kur e përmbush në mënyrë të lejuar, ka shpërblim.