Othman Shahami dhe Ferkad Sebehiu e pyetën Muslimin, djalin e sahabiut të nderuar, Ebu Bekrete (Allahu qoftë i kënaqur me të!): "A ka dëgjuar nga babai i tij ndonjë hadith prej Profetit ﷺ lidhur me trazirat (fitnet) dhe luftimet që ndodhin mes muslimanëve?" Ai u përgjigj: "Po, Profeti ﷺ ka njoftuar se do të ketë trazira pas vdekjes së tij, dhe në këto trazira, ai që qëndron ulur e i shpërfill ato është më i mirë se ai që ecën në to pa i kërkuar apo hulumtuar, ndërsa ai që ecën në to është më i mirë se ai që nxiton drejt tyre, duke i kërkuar dhe marrë pjesë në to. Pastaj, Profeti ﷺ udhëzoi atë që i qëllon apo i ndodh trazira në kohën e tij, që nëse gjen një vendstrehim, të strehohet në të; kushdo që ka deve që kullosin, le t'u bashkohet deveve të veta, kushdo që ka dele që kullosin, le t'u bashkohet deleve të veta, dhe kushdo që ka arë e fermë, le t'i bashkohet tokës së vet. Atëherë një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut, çfarë mendon për atë që nuk ka as vendstrehim, as deve, as dele e as arë?” Ai tha: “Le t’ia mësyjë armës së vet, ta thyejë dhe ta dëmtojë atë, pastaj le të ikë e të shpëtojë veten dhe fëmijën e tij, nëse ka mundësi të shpëtojë.” Pastaj, Profeti ﷺ i mori si dëshmitarë tri herë e tha: “O Allah, a e kumtova?! O Allah, a e kumtova?! O Allah, a e kumtova?!” Atëherë, një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut, çfarë mendon nëse detyrohem (të rreshtohem) me njërën prej dy palëve ose njërën prej dy grupeve, dhe pastaj një njeri më godet me shpatën e tij ose vjen një shigjetë e më vret?” Ai tha: “Ai e bart mëkatin e vet dhe mëkatin e atij që e ka vrarë, e pastaj në Ditën e Kiametit bëhet prej banorëve të Zjarrit.”