Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ ua mësoi hutben që thuhet në raste nevoje, e cila thuhet në fillim të fjalimeve në hutbe dhe para ndonjë rasti të caktuar, siç është hutbeja e martesës, hutbeja e xhumasë dhe të tjera. Kjo hutbe ngërthen në vete kuptime madhështore, duke përfshirë shpjegimin e së drejtës së Allahut për të gjitha llojet e lavdërimeve, kërkimndihmën vetëm prej Tij, i Cili nuk ka ortak, mbulimin e gjynaheve, anashkalimin e tyre dhe kërkimin e strehimit tek Ai nga të gjitha të këqijat; të këqijat e vetes (shpirtit) dhe të tjera. Pastaj Profeti ﷺ lajmëroi se udhëzimi është në dorën e Allahut, kështu që, këdo që udhëzon, nuk ka kush që mund ta humbë, si dhe këdo që Ai humb, nuk ka kush ta udhëzojë. Më pas e përmendi dëshminë e monoteizmit se nuk ka zot të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe dëshminë se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij. Në fund, ai e mbylli këtë hutbe me këto tri ajete, që përfshijnë urdhrin për t'iu frikësuar Allahut të Lartmadhëruar: duke i zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu shmangur ndalesave të Tij, duke synuar kështu Fytyrën (kënaqësinë) e Allahut, dhe se shpërblimi për këdo që e bën këtë është se veprat dhe fjalët e tij do të përmirësohen, të këqijat do t'i fshihen, gjynahet do t'i falen dhe do të ketë jetë të këndshme në të dyja botët dhe do ta fitojë Xhenetin në Ditën e Kiametit.