Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti ﷺ i tha Muadhit, i cili ishte ulur mbrapa tij mbi samar: “O Muadh ibn Xhebel!” Muadhi tha: "Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!" Profeti ﷺ sërish tha: “O Muadh!” Muadhi tha tri herë: "Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!" Profeti ﷺ tha: “Nuk ndodh që një rob të deklarojë sinqerisht nga zemra se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, e që Allahu atë njeri të mos ia ndalojë Zjarrit.” Muadhi i tha: “O i Dërguari i Allahut! A t'i njoftoj njerëzit, që të gëzohen?" Profeti ﷺ tha: “(Kur ta dëgjojnë këtë njerëzit), atëherë do t'i mbështeten vetëm asaj (e do t'i braktisin veprat).” Muadhi e tregoi këtë në fund të jetës së tij, nga frika se do të mëkatonte (nëse nuk do ta tregonte)." Sahih - Muttefek alejhi
explain-icon

Shpjegimi

Muadh ibën Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ishte hipur pas Profetit ﷺ mbi kafshën e tij dhe ai e thirri: "O Muadh!", ku këtë thirrje e përsëriti tri herë; duke e konfirmuar kështu rëndësinë e asaj që do t'i thoshte. Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) iu përgjigj të gjitha këtyre thirrjeve duke thënë: “Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!” Domethënë, unë të përgjigjem ty, o i Dërguari i Allahut, përgjigje njëra pas tjetrës dhe e kërkoj lumturinë kur të të përgjigjem. Kështu, Profeti ﷺ tregoi se nuk ndodh që ndokush të deklarojë sinqerisht nga zemra, pa përgënjeshtruar, se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, dhe vdes në këtë gjendje, e Allahu atë njeri të mos ia ndalojë Zjarrit. Muadhi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kërkoi nga Profeti ﷺ që t'i informojë njerëzit, në mënyrë që të gëzohen dhe të marrin sihariq për hair! Profeti ﷺ kishte frikë mos mbështeteshin (te kjo fjalë) e i pakësonin veprat. Muadhi nuk ia tha askujt këtë hadith, deri para vdekjes së tij, nga frika mos binte në mëkatin e fshehjes së diturisë.

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Modestia e Profetit ﷺ, meqë e uli mbrapa vetes në kafshën e vet Muadhin (Allahu qoftë i kënaqur me të!).
  • Mënyra si i mësonte Profeti ﷺ (sahabët), meqë e përsëriti thirrjen drejtuar Muadhit, për t'i tërhequr vëmendjen për atë që do t'ia thoshte.
  • Prej kushteve të dëshmisë: "S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij", është ta thotë atë sinqerisht, pa kurrfarë përgënjeshtrimi a dyshimi.
  • Ithtarët e teuhidit (monoteistët) nuk do të qëndrojnë përherë në Xhehenem. Ata, edhe nëse ndodh të hyjnë në të për shkak të gjynaheve, nxirren prej tij pasi të dëliren.
  • Vlera e shehadetit (dëshmisë islame) për atë që e thotë atë sinqerisht.
  • Lejohet të mos tregohet ndonjë hadith në ndonjë rast, nëse si pasojë e kësaj rezulton ndonjë dëm.