Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëherë kur ishte i vogël kishte hipur (mbi kafshë) me Profetin ﷺ dhe ai i tha: "Unë po të mësoj disa çështje dhe gjëra, përmes të cilave Allahu do të të bëjë dobi: Ruaje Allahun duke i ruajtur urdhrat e Tij dhe duke iu shmangur ndalesave të Tij, në mënyrë që Ai të të gjejë duke bërë adhurime e të mos gjejë duke bërë mëkate. E, nëse e bën këtë, shpërblimi yt do të jetë që Zoti të të ruajë nga të këqijat e kësaj bote dhe të botës tjetër, si dhe do të të ndihmojë në punët e tua kudo që të shkosh. Nëse dëshiron të lypësh diçka, lypi vetëm Allahut, sepse vetëm Ai u përgjigjet kërkesave të atyre që e lusin. Nëse dëshiron ndihmë, mos e kërko prej askujt pos Allahut. Duhet të jesh i bindur se nuk do të kesh asnjë dobi, edhe nëse të gjithë njerëzit e tokës mblidhen për të të bërë ndonjë dobi, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu, dhe anasjellas, nuk do të të ndodhë asnjë e keqe, edhe nëse të gjithë njerëzit e tokës mblidhen për të të bërë ndonjë dëm, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Kjo çështje është caktuar nga Allahu i Lartmadhëruar dhe është vendosur sipas asaj që përkon me urtësinë dhe diturinë e Tij, e nuk ka ndryshim të asaj që ka caktuar Ai. Ai që e ruan Allahun duke i ruajtur urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij, atëherë Allahu i Lartësuar do të jetë përpara robit, e di gjendjen e tij, e ndihmon dhe e përkrah. Nëse besimtari i bindet Allahut në rehati, Allahu do t’i bëjë atij në kohë vështirësish rrugëdalje dhe lehtësim. Çdo njeri le të jetë i kënaqur me atë që Allahu ia ka caktuar, qoftë e mirë apo e keqe. Gjatë sprovave dhe vështirësive, njeriu duhet të durojë, sepse durimi është çelësi i lehtësimit; kur vështirësia bëhet e rëndë, lehtësimi vjen nga Allahu, dhe kur vjen vështirësia, Allahu e pason atë me lehtësim.