Profeti ﷺ vuri re se mungonte Thabit ibn Kajsi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), andaj pyeti për të. Një burrë i tha: "O i Dërguari i Allahut, unë do të të njoftoj për të dhe do të ta tregoj shkakun përse po mungon." Kështu, shkoi tek ai dhe e gjeti të pikëlluar, kokulur në shtëpinë e tij, prandaj e pyeti: "Çfarë ke?" Thabiti i tha se çfarë sherri e kishte goditur, sepse ai e ngrinte zërin mbi zërin e Profetit ﷺ, e Allahu kishte kërcënuar këdo që e bënte këtë se do t'i shkatërrohej vepra dhe do të ishte nga banorët e Zjarrit. Kështu, personi në fjalë u kthye te Profeti ﷺ dhe i tregoi për këtë, e Profeti ﷺ e urdhëroi që të kthehej te Thabiti dhe t'i jepte lajmin e mirë se ai nuk është prej banorëve të Xhehenemit, por prej banorëve të Xhenetit. Kjo, se zëri i tij ishte i lartë natyrshëm dhe për shkak se ai ishte ligjëruesi i të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe ligjëruesi i ensarëve.