Irbad ibën Sarije (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: Një ditë i Dërguari i Allahut ﷺ u ngrit dhe na këshilloi me një këshillë drithëruese, që na i tronditi zemrat e na i përloti sytë. Atëherë ne i thamë: "O i Dërguari i Allahut, këto fjalë po na duken sikur janë këshillë lamtumirëse, andaj na porosit!" Ai tha: "Ju porosis të keni frikë Allahun dhe të jeni të dëgjueshëm e të bindur, edhe nëse ju bëhet prijës ndonjë rob abisinas. Pas meje do të shihni kundërshti të shumta, andaj kapuni fort pas traditës sime dhe traditës së kalifëve të drejtë e të përudhur, shtrëngojeni me dhëmballë dhe ruajuni nga gjërat e shpikura, sepse çdo bidat është lajthitje." Sahih - Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, ibn Maxhe dhe Ahmedi
explain-icon

Shpjegimi

Profeti ﷺ i këshilloi shokët e tij me një këshillë drithëruese, prej së cilës zemrat u tronditën dhe sytë u përlotën. Atëherë ata i thanë: "O i Dërguari i Allahut, këto fjalë po na duken sikur janë këshillë lamtumirëse!" Kjo, pasi panë se Profeti ﷺ i këshilloi drithërueshëm, prandaj kërkuan një porosi që t'i përmbahen asaj. Profeti ﷺ u tha: "Ju porosis që ta keni frikë Allahun e Lartmadhëruar, duke i kryer obligimet dhe duke i braktisur gjërat e ndaluara, të jeni të dëgjueshëm dhe të bindur, pra, ndaj prijësve, edhe nëse një rob bëhet prijës (i vendit) ose udhëheqës (për ndonjë çështje të veçantë), respektivisht edhe nëse njeriu më i ulët bëhet prijës për ju, mos u zbrapsni nga kjo dhe bindjuni atij, nga frika se ndodhin fitne (trazira e telashe), sepse kushdo nga ju që jeton do të shohë kundërshti të shumta. Pastaj ai ua shpjegoi atyre rrugën e daljes nga kjo kundërshti, pra, duke u kapur fort pas traditës së tij dhe traditës së kalifëve të drejtë e të udhëzuar pas tij: Ebu Bekër Sidikut, Omer ibn Hatabit, Othman ibn Afanit dhe Ali ibn Ebu Talibit (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!) dhe shtrëngimi i saj me dhëmballë. Me këtë kishte për qëllm të jemi të përpiktë duke u kapur fort për të. Po ashtu ua tërhoqi vërejtjen nga çështjet e shpikura dhe bidatet (risitë) në fe, sepse çdo bidat është devijim.

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Rëndësia e të kapurit fort për traditën profetike (sunetin) dhe pasimi i saj.
  • Kujdesi për dhënien e këshillave dhe zbutjen e zemrave të të tjerëve.
  • Urdhri për ndjekjen e katër kalifëve të drejtë e të udhëzuar pas Profetit ﷺ, që janë: Ebu Bekri, Omeri, Othmani dhe Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!).
  • Ndalimi i bidatit (risive) në fe dhe se të gjitha bidatet janë devijim.
  • Dëgjimi dhe bindja ndaj atyre që i kanë në dorë çështjet e muslimanëve (prijësit) bëhet në gjëra që nuk përbëjnë mëkatim (ndaj Allahut).
  • Rëndësia e frikës ndaj Allahut të Lartmadhëruar (devotshmërisë) në çdo kohë dhe në çdo gjendje.
  • Kundërshtitë do të ndodhin te muslimanët e, kur të ndodhin, duhet të kthehemi te tradita profetike dhe te tradita e kalifëve të drejtë.