Profeti ﷺ i informoi sahabët se të nesërmen, muslimanët do të fitojnë kundër hebrenjve të Hajberit, një qytet afër Medinës, dhe kjo fitore do të arrihet nëpërmjet një burri të cilit ai do t’ia japë flamurin, simbol ky, të cilin ushtria e përdor si shenjë të saj. Ky burrë kishte një cilësi të veçantë: ai e donte Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe Allahu dhe i Dërguari i Tij e donin atë. Omeri ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e përmendi se kurrë nuk e kishte dashur udhëheqjen dhe të ishte ai i synuari, përveçse atë ditë. E kjo, me shpresën se do ta arrinte atë që Profeti ﷺ kishte thënë; se Allahu dhe i Dërguari i Tij e duan (dhe ky i do ata). Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e zgjati trupin e tij që Profeti ﷺ ta shihte, me shpresën që të thirrej për këtë përgjegjësi, duke pasur dëshirë dhe ambicie për të marrë atë flamur. Pastaj, Profeti ﷺ e thirri Ali ibn Ebu Talibin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe ia dha flamurin. Profeti ﷺ e urdhëroi që të nisej me ushtrinë dhe të mos largohej nga lufta pasi të përballej me armikun, as për pushim, ndalesë apo armëpushim, derisa Allahu t’ia mundësojë çlirimin e këtyre kështjellave dhe t'i japë fitore e triumf. Atëherë Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u nis përpara, pastaj ndaloi, por nuk u kthye, në mënyrë që të mos kundërshtonte urdhrin e Profetit ﷺ. Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ngriti zërin dhe tha: "O i Dërguar i Allahut, për çfarë të luftoj kundër njerëzve?" Profeti ﷺ i tha: "Luftoji, derisa të dëshmojnë se s'ka të adhuruar të denjë pos Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Kur ata të përgjigjen dhe të hyjnë në Islam, atëherë gjaku dhe pasuria e tyre janë të mbrojtura prej teje dhe të ndaluara për ty, përveç me të drejtën e saj (dëshmisë islame). Pra, përveç nëse kryejnë ndonjë krim apo shkelje, që meriton dënimin me vdekje sipas ligjeve të Islamit, ndërsa llogaria e tyre i përket Allahut.