Profeti (paqja qoftë mbi të!) shkoi te xhaxhai i tij në kohën që ai po jepte shpirt dhe i tha: “O xhaxhai im, thuaj “la ilahe il-lallah” që unë të dëshmoj për ty para Allahut për këtë fjalë!" Në këtë çast, Ebu Xhehli dhe Abdullah ibn ebi Umeje thanë: “O Ebu Talib, po e braktis fenë e babait tënd Abdulmutalibit?! (E cila konsistonte në adhurimin e idhujve.) Ata vazhduan t’i flisnin atij, derisa fjalët e tij të fundit që tha ishin se ai i qëndronte fesë së Abdulmutalibit, fesë së politeizmit dhe idhujtarisë. Profeti (paqja qoftë mbi të!) tha: “Unë do të kërkoj falje për ty përderisa Zoti im nuk më ndalon ta bëj." Sakaq, Allahu i Madhëruar shpalli: “Nuk i takon Profetit dhe atyre që kanë besuar që të kërkojnë falje për idhujtarët edhe nëse ata janë të afërm, kur u është bërë e qartë se ata janë nga banorët e Zjarrit.” (Teube,113) Lidhur me Ebu Talibin, u shpall: “Ti nuk udhëzon kë të duash, por Allahu është Ai që udhëzon kë të dojë. Ai e di më mirë se cilët janë të udhëzuarit.” (Kasas,56) Pra, ti nuk e udhëzon dot atë që ti do që të udhëzohet. Ti ke për detyrë vetëm të kumtosh. Allahu është Ai që udhëzon kë të dojë.