Ubade ibn Samiti (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ishte ndër pjesëmarrësit në betejën e madhe të Bedrit dhe ishte udhëheqësi i popullit të tij, që doli përpara për të dhënë besën për mbështetjen e të Dërguarit të Allahut ﷺ në natën e Akabesë në Mina, - kur i Dërguari i Allahut ishte në Mekë para se të emigronte në Medinë - njoftoi se Profeti ﷺ ishte i ulur mes shokëve të tij dhe u kërkoi atyre t'i jepnin besën për disa çështje: Së pari: të mos i shoqërojnë Allahut asgjë në adhurim, pavarësisht sa e vogël qoftë ajo. Së dyti: të mos vjedhin. Së treti: të mos bëjnë zina (kurvëri). Së katërti: të mos i vrasin fëmijët e tyre; as djemtë nga frika e varfërisë dhe as vajzat nga frika e turpit. Së pesti: të mos bëni shpifje në moralin e njëri-tjetrit. Së gjashti: të mos e kundërshtojnë Profetin ﷺ kur bëhet fjalë për atë që është e drejtë dhe urdhërim për të mirë. Kushdo që mbetet i palëkundur në këtë besë dhe i përmbahet asaj, shpërblimi i tij është tek Allahu. Sa u përket atyre që kryejnë ndonjë nga gjërat e përmendura, përveç shirkut , dhe ndëshkohen për to në këtë botë, përmes dënimit të përcaktuar fetar (ar. hadd), kjo shërben si shlyerje (kefaret) për të dhe mëkati i tij fshihet. Megjithatë, kushdo që kryen ndonjë prej këtyre veprave dhe Allahu ia mbulon atë, çështja e tij i mbetet Allahut; Ai ose mund ta falë, ose mund ta ndëshkojë. Të gjithë ata që ishin të pranishëm i dhanë besë e tyre për këtë.