Ebu Hazim ibën Dinari tregon se disa burra erdhën te Sehël ibën Sad Saidiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe filluan të debatonin rreth minberit (të Profetit ﷺ) se prej çfarë materiali ishte i punuar, andaj e pyetën atë për këtë çështje. Ai u tha: "Betohem në Allahun se unë e di mirë se prej çfarë materiali ka qenë i punuar. E kam parë kur është vendosur këtu për herë të parë dhe kur është ulur në të i Dërguari i Allahut ﷺ për herë të parë. Ai porositi një grua ensare, - së cilës Sehli ia përmendi emrin (por Ebu Hazimit nuk i kujtohej): - “Urdhëroje shërbëtorin tënd zdrukthëtar që të më ndërtojë një minber, që të hip në të gjatë kohës sa u ligjëroj njerëzve.” Ajo e urdhëroi shërbëtorin e vet, i cili ia ndërtoi (minberin) prej drurëve të Gabës, pastaj e solli. I Dërguari i Allahut ﷺ urdhëroi të vendosej këtu. Më vonë, e kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke u falur në të: mori tekbirin duke qenë mbi të dhe ra në ruku, pastaj zbriti nga mbrapa dhe ra në sexhde në fund të minberit dhe u kthye sërish (hipi mbi të). Pasi e përfundoi namazin, u kthye nga njerëzit dhe u tha: “O njerëz! Veprova kështu që të më pasoni dhe ta mësoni namazin tim.” Sahih - Muttefek alejhi
explain-icon

Shpjegimi

Disa burra erdhën te një nga sahabët duke e pyetur për minberin e Profetit ﷺ, me të cilin i Dërguari i Allahut ﷺ shërbehej: "Nga se ishte bërë?" Ata diskutuan dhe polemizuan për këtë, andaj ua përmendi se Profeti ﷺ dërgoi një grua ensare, e cila kishte një shërbëtor zdrukthëtar, e i tha asaj: “Urdhëroje shërbëtorin tënd zdrukthëtar që të më ndërtojë një minber, që të hip në të gjatë kohës sa u ligjëroj njerëzve.” Kur gruaja e dëgjoi, e urdhëroi shërbëtorin e saj që të bënte për Profetin ﷺ një minber prej drurëve të Gabës. Kur e mbaroi, kjo gruaja ia dërgoi Profetit ﷺ, kështu që ai urdhëroi të vendoset në vendin e vet në xhami, pastaj Profeti ﷺ u fal në të: mori tekbirin duke qenë mbi të dhe ra në ruku, pastaj zbriti nga mbrapa, pa e kthyer fytyrën nga mbrapa dhe ra në sexhde në fund të minberit dhe u kthye sërish (hipi mbi të). Pasi e përfundoi namazin, u kthye nga njerëzit dhe u tha: “O njerëz! Veprova kështu që të më pasoni dhe ta mësoni namazin tim.”

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Është e preferuar që të shërbehemi me minber (podium) dhe që ligëruesi (hatibi) të ngrihet mbi të. Dobia e tij është kumtimi i mesazhit dhe që të tjerët të dëgjojnë.
  • Lejohet të falet namazi në minber, për t'i mësuar të tjerët dhe lejohet që imami të ngrihet mbi xhematin, për shkak të ndonjë dobie.
  • Është e lejuar të kërkohet ndihmë nga mjeshtërit për nevojat e muslimanëve.
  • Lejohet lëvizja e lehtë gjatë namazit, nëse është e nevojshme.
  • Xhematliut i lejohet ta shikojë imamin gjatë namazit, që të mësojë prej tij, e kjo nuk bie ndesh me përkushtimin (në namaz).