Tabiini, Malik ibën Eusi tregon se kishte disa dinarë ari dhe dëshironte t’i shkëmbente me dërhemë argjendi. Talha bin Ubejdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha: "Na jep dinarët e tu që t’i shoh!" Pasi vendosi për blerjen e tyre, i tha: "Hajde tek ne kur të vijë shërbëtori ynë më vonë, që të të japim dërhemët e argjendit." Omer ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ishte i pranishëm në atë mbledhje dhe e kundërshtoi këtë lloj marrëveshjeje. Ai iu përbetua Talhasë që t’ia jepte argjendin menjëherë ose t’ia kthente arin që kishte marrë prej tij, si dhe ia shpjegoi arsyen, duke thënë se i Dërguari i Allahut ﷺ kishte thënë që shkëmbimi i argjendit me ar, ose anasjelltas, duhet të kryhet dorë më dorë dhe menjëherë, përndryshe, një marrëveshje e tillë konsiderohet si kamatë e ndaluar dhe tregti e pavlefshme. Ai sqaroi më tej se ari nuk duhet të shitet për argjend, as argjendi për ar, përveçse dorë më dorë, dhe duke marrë menjëherë të dyja palët atë që shkëmbejnë. Po ashtu, nuk lejohet të shitet gruri me grurë, elbi me elb, apo hurmat me hurma, përveçse në mënyrë të barabartë, peshë për peshë, sasi për sasi, e dorë më dorë. Gjithashtu, nuk lejohet që këto të shkëmbehen, duke marrë diçka tani, për t'i dozëzuar diçka me vonesë, as të ndahen palët para se të dorëzohet malli i shkëmbyer