Profeti ﷺ në këtë hadith e ka sqaruar mënyrën e saktë të shitblerjes, kur ajo përfshin ndonjërën prej gjashtë kategorive që lidhen me kamatën, e ato janë: ari, argjendi, gruri, elbi, hurmat dhe kripa. Nëse mallrat janë të të njëjtit lloj, si p.sh: ari me ar apo argjendi me argjend, atëherë duhet të plotësohen dy kushte: Së pari: Pesha të jetë e barabartë, kur malli peshohet, si: ari dhe argjendi, ose masa të jetë e barabartë, kur matet, si: gruri, elbi, hurmat dhe kripa. Së dyti: Shitësi duhet ta marrë menjëherë pagesën dhe blerësi duhet ta marrë mallin në posedim në të njëjtën kohë ku lidhet kontrata e shitblerjes. Ndërsa, nëse këto kategori janë të ndryshme, si p.sh: ari me argjend ose hurmat me grurë, atëherë shitblerja lejohet vetëm me një kusht: që pagesa të kryhet dhe malli të merret në posedim në të njëjtën kohë ku bëhet kontrata. Përndryshe, shitblerja është e pavlefshme dhe si blerësi ashtu edhe shitësi kanë rënë në kamatën e ndaluar.