Profeti (paqja qoftë mbi të!) na ka njoftuar se asnjë njeri nuk do ta kalojë vendin e llogarisë në Ditën e Gjykimit për në Xhenet ose për në Zjarr derisa të pyetet për disa çështje: E para: për jetën e tij si e ka konsumuar dhe si e ka kaluar? E dyta: për dijen e tij, a e ka mësuar për hir të Allahut? A e ka zbatuar? Dhe, a ua ka kumtuar atyre që e meritonin? E treta: për pasurinë e tij, si e fitoi? A e fitoi në mënyra të ligjshme apo në mënyra të paligjshme? Dhe si e shpenzoi atë? A e shpenzoi për ta kënaqur Allahun apo për ta hidhëruar Atë? E katërta: për trupin, fuqinë, shëndetin dhe rininë e tij, ku i konsumoi këto dhe për çfarë i përdori?