Profeti ﷺ ka njoftuar se në Ditën e Gjykimit dielli do t’u afrohet njerëzve dhe do të jetë aq pranë, sa vetëm një milje larg nga kokat e tyre e ndan. Tabiini, Sulejm ibn Amiri, ka thënë: “Pasha Allahun, nuk e di se cilin prej dy kuptimeve kishte për qëllim: a miljen si masë distance në tokë, apo miljen që përdoret si surmë për sytë." Profeti ﷺ vazhdoi: "Njerëzit do të jenë të mbuluar nga djersa sipas veprave të tyre. Disa do ta kenë djersën deri te nyjat e këmbëve, disa deri te gjunjët, disa deri te beli, ndërsa disa do ta kenë djersën deri te goja, duke u penguar të flasin." I Dërguari i Allahut ﷺ bëri me dorë nga goja.