Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në këtë hadith transmeton një pjesë të përshkrimit të namazit të Profetit ﷺ dhe tregon se, kur ngrihej për t'u falur, merrte tekbir, kur qëndronte në këmbë gjatë tekbirit fillestar, e pastaj merrte tekbir kur shkonte në ruku, kur bënte sexhde, kur e ngrinte kokën nga sexhdja dhe kur bënte sexhden e dytë; kur e ngrinte kokën prej saj dhe kur ngrihej në këmbë pas dy rekateve të para pasi ishte ulur për teshehudin e parë në namazin trerekatësh ose katërrekatësh, e kështu vepronte gjatë tërë namazit, derisa e përfundonte. Kur e ngrinte shpinën nga rukuja, thoshte: "Semiallahu limen hamideh", dhe duke qëndruar në këmbë, thoshte: "Rabena ve lekel hamd." Pastaj Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), pasi e përfundonte namazin, thoshte: "Betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, se nga të gjithë ju, namazi im më së shumti i ngjason namazit të të Dërguarit të Allahut ﷺ. Kështu falej derisa u nda nga kjo botë."