Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që bie në gjumë, shejtani ia lidh tri nyja pas kokës dhe, duke e goditur secilën nyjë (thotë): "Qoftë një natë e gjatë për ty, andaj fli!" Nëse (personi) zgjohet dhe e përmend Allahun, i zgjidhet njëra nyjë. Nëse merr abdes, i zgjidhet nyja tjetër. Dhe, nëse falet, i zgjidhen të gjitha nyjat, rrjedhimisht gdhihet aktiv e shpirtmirë, në të kundërtën, gdhihet shpirtkeq dhe dembel.” Sahih - Muttefek alejhi
explain-icon

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith e përshkruan gjendjen e shejtanit dhe përpjekjen e tij për ta penguar njeriun që dëshiron të ngrihet për të falur namazin e natës ose të sabahut. Kur besimtari shkon për të fjetur, shejtani lidh mbi pjesën e pasme të kokës së tij tri nyja. Kur besimtari zgjohet dhe e përmend Allahun e Lartësuar, pa iu përgjigjur ngacmimeve të shejtanit, i zgjidhet njëra nyjë. Kur të marrë avdes, i zgjidhet tjetra. E, nëse ngrihet dhe falet, zgjidhet edhe nyja e tretë, rrjedhimisht gdhihet aktiv dhe shpirtmirë, për shkak të gëzimit se Allahu i dha sukses t'i bindet Atij dhe është i ngazëllyer për premtimin e Allahut për shpërblim e falje, njashtu për shkak të çlirimit nga nyjat dhe pengesat e shejtanit. Por, nëse nuk ngrihet, gdhihet shpirtkeq, zemërpikëlluar, përtac për të kryer vepra të mira dhe të mirësisë, sepse është i lidhur me nyjat e shejtanit e i larguar nga afërsia e Gjithëshiruesit.

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Shejtani gjithmonë përpiqet në çdo rrugë të njeriut për ta penguar atë nga bindja ndaj Allahut të Lartësuar. Nuk ka shpëtim për robin nga shejtani, përveçse duke kërkuar ndihmën e Allahut të Lartësuar dhe duke ndjekur shkaqet e mbrojtjes dhe ruajtjes prej tij.
  • Përmendja e Allahut të Lartësuar dhe adhurimi i Tij sjell energji në shpirt e kënaqësi shpirtëroe, largon dembelizmin e mërzinë; heq shqetësimin dhe antipatinë. Këto e largojnë shejtanin, ndërsa lidhja e nyjave është nga ngacmimet e tij.
  • Besimtari gëzohet për suksesin që Allahu ia jep për të kryer adhurimin ndaj Tij, si dhe trishtohet për shkak të mangësive të tij në arritjen e shkallëve të larta të shpërblimit dhe përsosurisë.
  • Përgjumja dhe largimi nga adhurimet janë veprime të shejtanit dhe zbukurimi i tij.
  • Këto tri adhurime: përmendja e Allahut, avdesi dhe namazi e largojnë shejtanin.
  • Nyja e shejtanit është e lidhur posaçërisht pas kokës, pasi ajo është qendra e forcave dhe fusha e veprimit të tyre. Kur ai e lidh atë, ai mund ta kontrollojë shpirtin e njeriut dhe t'i shkaktojë gjumë.
  • Ibn Haxher el Askalani ka thënë: "Përmendja e natës në hadith: "Qoftë një natë...", në kuptimin literal lë të kuptohet se kjo gjë është veçanërisht e lidhur me gjumin e natës."
  • Ibn Haxher el Askalani ka thënë: "Nuk ka diçka të veçantë e të caktuar për të bërë pjesë te "përmendja e Allahut", e që nuk e zëvendëson ndonjë tjetër; çdo gjë që mund të quhet përmendje e Allahut është e mjaftueshme. Këtu përfshihet: leximi i Kuranit, leximi i hadithit të Profetit ﷺ dhe angazhimi duke kërkuar dije fetare. Më e larta që mund të thuhet nga dhikri (përmendja e Allahut) është ajo që ka thënë Profeti ﷺ: “Atij që zgjohet natën dhe thotë: "La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike leh, lehul mulku ve lehul hamdu, ve huve ala kuli shejin kadir. Elhamdulilah ve subhanallah ve la ilahe il-lallah, vallahu ekber. Ve la havle ve la kuvete ila bilah (S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, të Vetmit, që nuk ka ortak. Atij i takon sundimi dhe lavdërimi, Ai ka fuqi për çdo gjë. Falënderimi i takon Allahut dhe i Lartësuar qoftë Allahu! S'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, Allahu është më i Madhi. Nuk ka ndryshim e as fuqi pa Allahun), pastaj thotë: "O Allah, më fal mua ose lutet (për diçka), i pranohet. E, nëse merr avdes dhe falet, i pranohet namazi i tij.” (E shënon Buhariu)