Profeti ﷺ ka njoftuar se Allahu i Lartmadhëruar thotë: Unë jam ashtu siç mendon robi im për Mua, dhe e trajtoj robin Tim sipas mendimit që ka për Mua kur shpreson dhe pret faljen Time, si dhe veproj me të sipas asaj që ai pret prej Meje, qoftë e mirë apo tjetër gjë. Unë jam me të, me mëshirën, suksesin, udhëzimin, kujdesin dhe ndihmën, kur ai më përmend Mua. Nëse më përmend në veten e tij, kur është vetëm dhe i tërhequr, me tesbih (duke thënë: sunhanallah), tehlil (duke thënë: la ilahe il-lallah), apo forma të tjera, Unë e përmend atë në Veten Time. Dhe nëse më përmend Mua në një tubim, Unë e përmend atë në një tubim më të madh dhe më të mirë. Dhe kushdo që i afrohet Allahut sa një pëllëmbë, Allahu do ta shtojë këtë dhe do t’i afrohet atij sa një kut, nëse i afrohet Atij sa një kut, Ai i afrohet sa një pash, e nëse shkon tek Allahu duke ecuar, Ai shkon tek ai duke vrapuar. Pra, robi kur i afrohet Zotit të tij me bindje dhe angazhim ndaj Tij, Zoti i Lartësuar do ta afrojë atë më tepër si shpërblim për veprat e tij. Sa më i përsosur të jetë adhurimi i besimtarit ndaj Zotit të tij, respektivish të qenët e tij rob ndaj Tij, aq më afër e afron Allahu i Lartësuar, sepse dhurata dhe shpërblimi i Allahut kalojnë veprat dhe mundin e robit. Në të vërtetë, shpërblimi i Allahut është më i madh se veprat e robit, si në cilësi ashtu edhe në sasi. Besimtari ka mendim të mirë për Allahun, vepron, nxiton dhe i shton veprat e tij të mira derisa të takojë Allahun.