Profeti ﷺ në këtë hadith tregon se pastërtia e jashtme arrihet me abdes e gusël dhe ajo (pastërtia) është kusht i namazit. Thënia: "elhamdulilah" (lavdërimi i takon Allahut) e rëndon peshoren", është falënderim ndaj Allahut të Lartësuar dhe përshkrim i Tij me cilësi të përkryera, të cilat do të peshojnë në Ditën e Kiametit dhe do ta mbushin peshoren e veprave. Thëniet: "subhanallah" (i patëmeta është Allahu) dhe elhamdulilah" (lavdërimi i takon Allahut) janë dëlirësim i Allahut nga të gjitha mangësitë dhe përshkrim i Tij me cilësi të përkryera, që i përshtaten madhështisë së Tij, së bashku me dashurinë dhe madhërimin e Tij, gjë që e mbush hapësirën ndërmjet qiejve dhe Tokës. "Namazi është nur” për robin në zemrën e tij, në fytyrën e tij e në varrin e tij kur të ringjallet. "Lëmosha është dëshmi” dhe dëshmi për besimin e çiltër të besimtarit dhe për dallimin e tij nga hipokriti, i cili nuk jep, sepse nuk u beson premtimeve që përmenden për vlerën e saj. "Durimi është ndriçim", që nënkupton vetëpërmbajtjen nga mosdurimi dhe pakënaqësia. Është ndriçim që sjell nxehtësi dhe djegie, si drita e Diellit, sepse është i vështirë dhe kërkon që shpirti të përpiqet e ta ndalojë kundrejt asaj që dëshiron, kësisoj durimtari vazhdon të jetë i ndritur, i udhëzuar dhe vazhdon të jetë në të drejtën. (Durimi ndahet në tri lloje): durimi në bindje ndaj Allahut, durimi për të mos e kundërshtuar Atë dhe durimi përballë fatkeqësive dhe të gjitha llojeve të vështirësive në këtë botë. “Kurani është argument, për” duke e lexuar dhe vepruar sipas tij, “ose kundër teje” duke e lënë atë pa e jetësuar dhe pa e lexuar. Pastaj Profeti ﷺ tregoi se të gjithë njerëzit japin mund, shpërndahen, zgjohen nga gjumi dhe largohen nga shtëpitë e tyre për punët e tyre të ndryshme: prej tyre ka që i përmbahen bindjes ndaj Allahut dhe çlirohen nga Zjarri, gjithashtu ka prej tyre që devijojnë prej kësaj dhe bien në mëkat, kështu që shkatërrohen duke hyrë në Zjarr.