Profeti ﷺ në këtë hadith ka përgëzuar shtatë kategori besimtarësh, të cilët Allahu i Lartësuar do t’i fusë nën hijen e Arshit të Tij, në një Ditë kur nuk do të ketë hije tjetër përveç hijes së Arshit të Tij: I pari: Një prijës i drejtë në veten e tij, jo mëkatar dhe i shthurur. I drejtë me ata që i ka nën përgjegjësi, jo zullumqar. Në këtë, hyn ai që mban pushtetin më të lartë, por edhe çdo njeri që ka ndonjë përgjegjësi mbi çështjet e muslimanëve dhe vepron me drejtësi në to. I dyti: Një i ri që rritet duke e adhuruar Allahun, duke ia kushtuar rininë dhe fuqinë e tij kësaj rruge, derisa të vdesë në atë gjendje. I treti: Një njeri, zemra e të cilit është e lidhur me xhaminë. Edhe kur largohet prej saj, dashuria e madhe për të e kthen sërish tek ajo. Shkuarja e shpeshtë në xhami bën që zemra e tij të mbetet e lidhur me të, edhe nëse fizikisht ndodhet jashtë saj për ndonjë arsye. I katërti: Dy njerëz që janë dashur sinqerisht për hir të Allahut, duke e ruajtur këtë dashuri fetare mes tyre, pa lejuar që ndonjë interes i dynjasë ta ndërpresë atë lidhje, qoftë edhe nëse janë takuar apo jo, derisa t’i ndajë vdekja. I pesti: Një burrë, të cilin e fton një grua me prejardhje, pozitë, pasuri dhe bukuri për të bërë zina me të, por ai refuzon dhe i thotë: “Unë i frikësohem Allahut.” I gjashti: Një njeri që jep sadaka, qoftë pak apo shumë, me sinqeritet dhe pa synuar syefaqësi, përkundrazi, e fsheh atë aq shumë, saqë dora e majtë nuk e di çfarë ka dhënë dora e djathtë. I shtati: Një njeri, që e përmend Allahun në vetmi, qoftë me zemër përmes meditimit, apo me gjuhë përmes dhikrit, dhe sytë e tij mbushen me lot nga frika dhe madhërimi ndaj Allahut të Lartësuar.