Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon se ishte i ri, hipur (mbi kafshë) me Profetin ﷺ, kur i tha: "Unë po të mësoj disa çështje dhe gjëra, përmes të cilave Allahu do të të bëjë dobi: "Ruaje Allahun duke i ruajtur urdhrat e Tij dhe duke iu shmangur ndalesave të Tij, në mënyrë që Ai të të gjejë duke bërë adhurime e të të mos gjejë duke bërë mëkate. E, nëse e bën këtë, shpërblimi yt do të jetë që Zoti të të ruajë nga të këqijat e kësaj bote dhe të botës tjetër, si dhe do të të ndihmojë në punët e tua kudo që të shkosh. Nëse dëshiron të lypësh diçka, lypi vetëm Allahut, sepse vetëm Ai u përgjigjet kërkesave të atyre që e lusin. Nëse dëshiron ndihmë, mos e kërko prej askujt pos Allahut. Duhet të jesh i bindur se nuk do të kesh asnjë dobi, edhe nëse të gjithë njerëzit e tokës mblidhen për të të bërë ndonjë dobi, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu, dhe anasjeltas, nuk do të të ndodhë asnjë e keqe, edhe nëse të gjithë njerëzit e tokës mblidhen për të të bërë ndonjë dëm, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Kjo çështje është caktuar nga Allahu i Lartmadhëruar dhe është vendosur sipas asaj që përkon me urtësinë dhe diturinë e Tij, e nuk ka ndryshim të asaj që ka caktuar Ai.