Një burrë flokëshprishur nga banorët e Nexhdit, shkoi te Profeti ﷺ. Zëri i tij ishte i lartë dhe ai nuk kuptohej se çfarë thoshte, derisa iu afrua Profetit ﷺ dhe e pyeti për obligimet e Islamit? Profeti ﷺ e filloi me namazin dhe i tregoi se Allahu e ka bërë obligim faljen e pesë namazeve gjatë ditës dhe natës. Ai tha: "A jam i detyruar të fal ndonjë namaz tjetër përveç këtyre pesë namazeve?" Profeti i tha: "Jo, përveç nëse fal namaze vullnetare." Pastaj Profeti ﷺ i tregoi se ndër gjërat që Allahu t'i ka bërë obligim është dhe agjërimi i muajit të Ramazanit. Ky njeri tha: "A kam obligim ndonjë agjërim, pos agjërimit të muajit të Ramazanit?" Profeti ﷺ i tha: "Jo, përveç nëse agjëron vullnetarisht." Më pas Profeti ﷺ i përmendi zekatin. Ky njeri tha: "A kam obligim pas zekatit të detyrueshëm ndonjë lëmoshë tjetër?" I tha: "Jo, veç nëse jep vullnetarisht." Pasi personi në fjalë i dëgjoi këto obligime nga Profeti ﷺ, u largua dhe u betua në Allahun e Lartësuar se do t'u përmbahej atyre, pa shtuar e pa cunguar gjë. Kësisoj, Profeti ﷺ, pas kësaj, i tha: "Nëse ky burrë është i sinqertë në atë për të cilën u betua, atëherë ai do të shpëtojë."