Ebu Seid Hudriu dhe Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) transmetojnë se Profeti ﷺ ka thënë: “Një thirrës (në Xhenet) do të thërrasë: “Ju, gjithnjë do të gëzoni shëndet e nuk do të sëmureni kurrë. Do të keni jetë të përhershme e nuk do të vdisni kurrë. Do të keni rini të përhershme e nuk do të plakeni kurrë dhe do të begatoheni e nuk do të përjetoni vështirësi kurrë.” Ky është kuptimi i fjalës së Allahut të Lartmadhëruar: “Dhe atyre do t'u thuhet: “Ky është Xheneti që ju është dhënë, për atë që keni punuar.” (El Araf, 43) Sahih - Transmeton Muslimi
explain-icon

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith ka përmendur se një thirrës do t’i thërrasë banorët e Xhenetit, teksa ata janë duke i shijuar begatitë në të: "Ju, gjithnjë do të gëzoni shëndet e nuk do të sëmureni kurrë në Xhenet, sado e vogël të jetë sëmundja. Do të keni jetë të përhershme e nuk do të vdisni kurrë, as edhe gjumë nuk do të keni, i cili konsiderohet një vdekje e vogël. Do të keni rini të përhershme e nuk do të plakeni kurrë dhe do të begatoheni e nuk do të përjetoni pikëllim e as vështirësi kurrë. Ky është kuptimi i fjalës së Allahut të Lartmadhëruar: “Dhe atyre do t'u thuhet: “Ky është Xheneti që ju është dhënë, për atë që keni punuar.” (El Araf, 43)

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Pengesat më të mëdha të kënaqësisë së jetës në këtë botë, sado të ketë jetë luksoze, janë katër: sëmundja, vdekja, pleqëria dhe vuajtja e pikëllimi për shkak të frikës nga armiku, varfëria, lufta dhe të ngjashme. Banorët e Xhenetit janë të shpëtuar prej tyre, ndaj ata do të gëzojnë begatinë më të plotë.
  • Begatia e Xhenetit ndryshon nga ajo e kësaj bote, sepse begatia e Xhenetit nuk ka frikë brenda saj, ndërsa begatia e kësaj bote nuk është e përhershme dhe shoqërohet me dhimbje e sëmundje.
  • Inkurajimi për të bërë vepra të mira, me të cilat arrihet kënaqësia e Xhenetit.