Sulejman ibn Suredi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Teksa po qëndroja me Profetin ﷺ, dy burra filluan të grindeshin (shaheshin) mes vete. Njërit prej tyre iu skuq fytyra dhe iu frynë damarët (nga zemërimi). Profeti ﷺ tha: “Unë di një fjalë, të cilën nëse e thotë, do t'i kalojë ajo që e ka kapluar. Sikur të thotë: “Eudhu bilahi mine shejtani (Kërkoj mbrojtjen e Allahut kundrejt shejtanit!)”, do t'i kalojë kjo gjendje që e ka kapluar.” Andaj, personit në fjalë i thanë: “Profeti ﷺ po thotë të kërkosh mbrojtjen e Allahut kundrejt shejtanit.” Ai tha: “Vallë, mos jam gjë i çmendur?” Sahih - Muttefek alejhi
explain-icon

Shpjegimi

Dy burra e shanë dhe e fyen njëri-tjetrin në praninë e Profetit ﷺ dhe fytyra e njërit prej tyre u skuq, ndërsa damarët rreth qafës së tij iu frynë. Profeti ﷺ tha: "Unë di një fjalë, që sikur ta thoshte ky i zemëruari, do t'i largohej zemërimi. Sikur të thoshte: "Kërkoj mbrojtjen e Allahut kundrejt shejtanit të mallkuar." Të pranishmit i thanë: Profeti ﷺ ka thënë: "Kërko mbrojtje tek Allahu nga shejtani!" Ai tha: "A jam unë i çmendur?! Mendoi se nuk kërkon mbrojtje që të ruhet nga shejtani askush, veçse ai që është i çmendur."

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Kujdesi i Profetit ﷺ për të udhëzuar dhe këshilluar të tjerët, sa herë që paraqitej arsyeja për këtë.
  • Zemërimi është prej shejtanit.
  • Urdhri për të kërkuar mbrojtje tek Allahu nga shejtani kur je i zemëruar, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: "Nëse shejtani fillon të të joshë, kërko mbrojtje tek Allahu..." (El Fusilet, 36)
  • Paralajmërimi kundër sharjes dhe mallkimit, si dhe largimi prej tyre, ngase ato çojnë në armiqësi mes njerëzve.
  • Përcjellja e këshillës atij që nuk e ka dëgjuar, në mënyrë që të përfitojë prej asaj që përmban ajo.
  • Profeti ﷺ ka paralajmëruar kundër zemërimit, sepse ai shtyn drejt së keqes dhe nxitimit të tepruar. Profeti ﷺ zemërohej, vetëm atëherë kur shkeleshin kufijtë e Allahut të Lartësuar, e në fakt ky është zemërim i lavdëruar.
  • Për fjalën "A jam unë i çmendur?", Neveviu ka thënë: "Është e mundur se ai që e tha këtë, të ketë qenë prej hipokritëve ose prej beduinëve të vrazhdë."