Muavija ibn Ebu Sufjani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) doli në xhami, ku pa një grup njerëzish të tubuar dhe i pyeti për çfarë arsye ishin mbledhur. Ata iu përgjigjën: "Për të përmendur Allahun." Ai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u kërkoi të betoheshin nëse vërtet nuk synonin gjë tjetër me këtë tubim përveç përmendjes së Allahut. Dhe ata u betuan. Pastaj u tha: "Nuk ju kërkova të betoheni për arsye se ju akuzoja ose dyshoja në sinqeritetin tuaj." Më pas ai u tregoi për pozitën e tij në raport me Profetin ﷺ dhe se shumë njerëz nuk ishin aq të afërt me të sikur ai, sepse Umu Habibe gruaja e Profetit ﷺ ishte motra e tij, dhe se ai ishte ndër shkruajtësit e shpalljes e përkundër kësaj, transmetonte pak hadithe. Kështu, ai u tha atyre se Profeti ﷺ një ditë doli nga shtëpia e tij dhe i gjeti të ulur në xhami duke e përmendur Allahun dhe duke e lavdëruar Atë për udhëzimin në Islam dhe për begatinë e Islamit që ua dha. Profeti ﷺ i pyeti dhe i kërkoi të bënin be në të njëjtën mënyrë siç bëri Muavia (Allahu qoftë i kënaqur me të!) me shokët e tij. Pastaj Profeti ﷺ u tregoi atyre për arsyen e pyetjes së tij dhe përse i kërkoi të bënin be; arsyeja e kësaj ishte se meleku Xhibril (alejhi selam) vajti tek ai dhe i tha se Allahu i Lartmadhëruar mburret dhe krenohet me ju para melekëve, ua përmend vlerën tuaj, ua tregon punën tuaj të mirë dhe ju lavdëron para tyre.