Profeti ﷺ në këtë hadith u tregoi sahabëve se muslimanët nesër do të fitojnë kundër hebrenjve të Hajberit, nëpërmjet një burri që do t'ia jepte personalisht flamurin, flamur këtë të cilin ushtria e përdorte si simbol të saj. Një prej virtyteve të këtij burri ishte se e donte Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe se Allahu dhe i Dërguari i Tij e donin atë gjithashtu. Kështu, sahabët e kaluan natën duke diskutuar dhe duke biseduar se kujt do t'i jepej flamuri e duke qenë të interesuar për këtë nder të madh. Kur erdhi mëngjesi, shkuan te Profeti ﷺ, që të gjithë, duke shpresuar të merrnin këtë nder. Profeti ﷺ pyeti për Ali ibën Ebi Talibin (Allahu qoftë i kënaqur me të!). I thanë: "Ai është i sëmurë, po ankohet prej syve." Profeti ﷺ i dërgoi tek ai dhe ata ia sollën. Ai vendosi në sytë e Aliut diçka nga pështyma e tij fisnike dhe u lut për të dhe ai u shërua nga sëmundja që kishte, sikur të mos kishte asnjë sëmundje, sakaq ia dha flamurin dhe e urdhëroi që të vazhdonte me butësi derisa t'i afrohej fortesës së armikut dhe t'i ftonte në Islam, e, nëse pranonin, atëherë t'i tregonte çfarë obligimesh kanë. Pastaj Profeti ﷺ ia sqaroi Aliut vlerën e thirrjes tek Allahu dhe, nëse thirrësi bëhet shkak për udhëzimin e një njeriu, kjo është më mirë për të sesa të posedojë deve të kuqe, - të cilat ishin pasuria më e çmuar e arabëve, - t'i mbajë në pronësinë e vet ose t'i japë lëmoshë.