Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "I Dërguari i Allahut ﷺ ma mësoi teshehudin ashtu siç më mësonte ndonjë sure Kurani, ndërkohë shuplaka ime ishte mes dy shuplakave të tij: "Et-tehijjatu lil-lahi ues-salavatu uet-tajjibatu. Es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ue rahmetullahi ue berakatuhu. Es-selamu alejna ue ala ibadil-lahis-salihin. Eshhedu en la ilahe il-lallah ue eshhedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu (Përshëndetjet, lutjet dhe mirësitë i takojnë Allahut. Paqja, mëshira dhe bekimi qofshin mbi ty, o Pejgamber! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi të gjithë robërit e mirë! Dëshmoj se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij)." Në një tekst të Buhariut dhe të Muslimit, qëndron: “Vetë Allahu quhet Es-Selam. Kur dikush të ulet në namaz, le të thotë: "Et-tehijjatu lil-lahi ues-salavatu uet-tajjibatu. Es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ue rahmetullahi ue berakatuhu. Es-selamu alejna ue ala ibadil-lahis-salihin." Duke e thënë këtë, përfshini çdo rob të mirë të Allahut, në qiell dhe në Tokë. (Pastaj le të vazhdojë:) "Eshhedu en la ilahe il-lallah ue eshhedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu" Pastaj le të lavdërojë Allahun me çfarë të dojë.” Sahih - Muttefek alejhi
explain-icon

Shpjegimi

Profeti ﷺ ia mësoi Ibën Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) teshehudin që thuhet gjatë namazit, ku e futi dorën e Ibën Mesudit në mes të duarve të tij, që t'ia ngjallte kureshtjen atij për këtë gjë, njëjtë siç i mësonte ndonjë sure nga Kurani, gjë që tregon se Profeti ﷺ i kushtonte rëndësi teshehudit, qoftë shprehimisht, qoftë kuptimisht. Ai tha: "Et-tehijatu lil-lahi": Këto janë të gjitha fjalët ose veprat që tregojnë madhërim dhe që të gjitha janë meritore për Allahun e Lartmadhëruar. "Salavat": Është për qëllim namazi që e dimë të gjithë, qoftë obligativ, qoftë vullnetar, pra, të jetë për hir të Allahut të Lartësuar. "Tajjibat": Ato janë fjalët, veprat dhe përshkrimet e mira që tregojnë përsosuri. Krejt këto i meriton Allahu i Lartësuar. "Es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ve rahmetullahi ve berakatuhu": Lutje për Profetin që të jetë i shpëtuar nga çdo mundim e dëm dhe t'i shtohen të mirat me bollëk. "Es-selamu alejna ve ala ibadil-Lahis-salihin": Kjo është lutje pë namazliun dhe për çdo rob të mirë, në qiell dhe në Tokë. "Eshhedu en la ilahe il-lallah": Domethënë: e pranoj me vendosmëri se nuk ka Zot të vërtetë që meriton të adhurohet pos Allahut. "ve eshhedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu": Domethënë: e pranoj se Muhamedi ﷺ është rob dhe i Dërguari i fundit. Pastaj Profeti ﷺ e inkurajoi namazliun të përzgjedhë çfarëdo lutjeje që dëshiron.

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Vendi i teshehudit është ulja pas sexhdes së fundit në çdo namaz dhe pas rekatit të dytë në namazet trerekatëshe dhe katërrekatëshe.
  • Përshëndetjet (tehijat) janë të detyrueshme gjatë teshehudit dhe lejohet të thuhet cilido lloj i teshehudit që vërtetohet nga Profeti ﷺ.
  • Lejohet që namazliu të bëjë lutje gjatë namazit për çka të dojë, përderisa nuk është mëkatim.
  • Është e rekomanduar gjatë lutjes të fillohet me veten.