Profeti ﷺ hyri në xhami, e pas tij hyri një njeri dhe i fali dy rekate shpejt, pa qetësi gjatë qëndrimit të tij në këmbë, ruku dhe sexhde. Profeti ﷺ e vëzhgonte teksa falej. Pastaj ky njeri shkoi tek Profeti ﷺ, i cili ishte ulur në një cep të xhamisë, dhe e përshëndeti. Profeti ﷺ i ktheu përshëndetjen dhe i tha: “Kthehu dhe përsërite namazin, sepse nuk je falur.” Ai u kthye dhe u falë përsëri shpejt si më parë, pastaj shkoi dhe i dha selam Profetin ﷺ, i cili i tha: “Kthehu dhe falu, sepse nuk je falur.” Kjo u përsërit tri herë. Pastaj njeriu tha: “Pasha Atë, të Cilin të ka dërguar me të vërtetën, nuk mund të bëj më mirë se kaq, andaj më mëso!” Atëherë Profeti ﷺ i tha: "Kur të ngrihesh për namaz, thuaje tekbirin fillestar, pastaj lexoje suren Fatiha dhe diçka tjetër, që Allahu ta lehtëson. Pastaj, bjer në ruku derisa të ndihesh i qetë, duke vendosur pëllëmbët mbi gjunjë dhe shpinën drejt. Pas kësaj, ngrihu dhe qëndro drejt derisa eshtrat të kthehen në nyjet e tyre. Më pas bjer në sexhde derisa të ndihesh i qetë, duke vendosur ballin, hundën, pëllëmbët, gjunjët dhe majat e gishtave të këmbëve mbi tokë. Pastaj ngrihu dhe qëndro i qetë ulur midis dy sexhdeve. Kështu vepro gjatë gjithë namazit.