Profeti ﷺ i pyeti shokët e tij nëse dëshironin që t'u tregonte për vepra që do të ishin shkak për faljen e mëkateve dhe fshirjen e tyre nga regjistrat e melekëve shkrues, si dhe në ngritjen e pozitave të larta në Xhenet? Sahabët thanë: "Po, e duam një gjë të tillë." E para: plotësimi dhe përsosja e abdesit në raste vështirësie, si: i ftohti, mungesa e ujit, dhimbjet e trupit dhe uji i nxehtë. E dyta: hapat e shumtë për të shkuar në xhami, edhe nëse është larg. E treta: pritja e kohës së namazit, lidhja e zemrës me të, gatishmëria për të dhe ulja në xhami për të pritur namazin me xhemat, dhe qëndrimi pas faljes në vendin e tij për faljen e namazit tjetër. Pastaj Profeti ﷺ sqaroi se këto vepra janë gatishmëria e vërtetë, për shkak se ua mbyllin rrugët shejtanit që të sundojë mbi shpirtin, i mposhtin dëshirat e shfrenuara dhe e mbrojnë shpirtin nga cytjet, kështu që ushtria e Allahut i mund ushtarët e shejtanit përmes këtyre adhurimeve, e ky është xhihadi më i madh, andaj kjo konsiderohet si gjendje gatishmërie në kufi me armikun.