Profeti ﷺ në këtë hadith i lajmëroi shokët e tij për më të mëdhatë e mëkateve të mëdha, kështu që ua përmendi këto tria: 1. Të bërët shirk (ortakëri) Allahut, që nënkupton kushtimin e çdo lloj adhurimi dikujt tjetër përveç Allahut dhe barazimi i të tjerëve me Allahun në uluhijen (veçimin e Allahut me adhurim), rububijen (veçimin e Allahut me zotërim) dhe emrat e cilësitë e Tij. 2. Mosrespektimi i prindërve, që nënkupton çdo dëm që u shkaktohet prindërve, qoftë me fjalë, qoftë me vepra, dhe lënia e bamirësisë ndaj tyre. 3. Fjala e rrejshme, e cila e përfshin edhe dëshminë e rrejshme. Kjo nënkupton çdo fjalë të rreme, me të cilën synohet nënçmimi i atij për të cilin është bërë kjo dëshmi, duke ia marrë pasurinë ose duke ia cenuar nderin, e të ngjashme. Profeti ﷺ e përsëriti (disa herë) tërheqjen e vërejtjes kundër fjalëve të rreme, duke paralajmëruar kështu për qortueshmërinë dhe efektet e këqija të saj në shoqëri, derisa sahabët thanë: "Ah, sikur të heshtte!", si mëshirë për të dhe moskënaqje me atë që e shqetëson atë.