Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) u nis drejt Hunejnit, që gjendej në një luginë midis Taifit dhe Mekës, ndërkohë me të ishin dhe disa nga sahabët që sapo kishin hyrë në fenë islame. Ata kaluan pranë një peme, e cila njihej me emrin "Dhatu en'uat" që do të thotë "Pema ku varen gjërat". Idhujtarët e madhëronin këtë pemë dhe varnin në të armët e tyre dhe gjëra të tjera në kërkim të begatisë. Këta sahabë që ishin të rinj në Islam kërkuan nga Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) të caktonte për ta një pemë si ajo, ku të varnin armët e tyre, duke menduar se një gjë e tillë është e lejuar. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) lëvdoi dhe madhëroi Allahun në formë refuzimi ndaj asaj që ata thanë. Ai i njoftoi se këto fjalë ishin të ngjashme me fjalët që populli i Musait i tha Musait: "Cakto për ne një zot siç kanë ata zota!" Populli i Musait e bënë këtë kërkesë kur panë një popull që adhuronin idhujt. Kështu, ata kërkuan nga ai që të kishin dhe ata idhuj siç kishin idhujtarët. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) i njoftoi këta sahabë që kjo gjë është imitim i rrugës së popullit të Musait. Mandej Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) njoftoi se ky umet do të ndjekë rrugën e hebrenjve dhe të krishterëve dhe do të bëjë atë që ata kanë bërë. Ai e tha këtë në formë paralajmërimi.