Profeti ﷺ ishte ulur me një grup prej shokëve të tij, ndër të cilët ishin edhe Ebu Bekri dhe Omeri. Pastaj u ngrit dhe u largua, por u vonua. Ata u frikësuan se mos i kishte ndodhur ndonjë e keqe nga ndonjë armik, qoftë duke e zënë rob apo në ndonjë mënyrë tjetër. Shokët e Profetit ﷺ u ngritën të tmerruar e të frikësuar dhe i pari që veproi ishte Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ai shkoi te një kopsht që i përkiste fisit benu Nexhar dhe nisi të kërkonte përreth, duke shpresuar të gjente ndonjë portë të hapur, por nuk gjeti asnjë. Megjithatë, gjeti një vrimë të vogël në mur, nga e cila kalonte uji. U përbirua nëpër të dhe hyri brenda, ku e gjeti Profetin ﷺ. Ai i tha: "A je ti Ebu Hurejra?" - Po, - tha ai. Profeti ﷺ e pyeti: "Ç'është puna jote?" Ebu Hurejra tha: "Ti ishe me ne, pastaj u largove dhe u vonove. Ne u frikësuam se mos të kishte ndodhur diçka dhe u trembëm. Unë qeshë i pari që dola të të kërkoja. Erdha te ky kopsht dhe u përbirova në të siç përbirohet dhelpra. Të tjerët janë pas meje." Atëherë Profeti ﷺ ia dha nallanet e tij si shenjë dhe dëshmi të vërtetësisë së tij dhe i tha: "Merri këto dy nallane të miat dhe shko. Këdo që takon përtej këtij kopshti, i cili dëshmon se nuk ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, me zemër plotësisht të bindur për këtë, përgëzoje me Xhenet." Njeriu i parë që takoi ishte Omeri, i cili e pyeti: "Ç'janë këto dy nallane, o Ebu Hurejre?" Ai u përgjigj: "Janë nallanet e të Dërguarit të Allahut ﷺ. Ai më dërgoi me to që ta përgëzoj me Xhenet këdo që takoj e që dëshmon se nuk ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, me zemër plotësisht të bindur për këtë." Atëherë Omeri e goditi Ebu Hurejrën në gjoks, sa e rrëzoi për tokë, dhe i tha: "Kthehu, o Ebu Hurejre!" Kështu, u ktheva te Profeti ﷺ, i shqetësuar, me fytyrën e ndryshuar dhe gati duke qarë. Omeri po vinte pas meje. Profeti ﷺ më pyeti: "Çfarë ke, o Ebu Hurejre?" Unë i thashë: "E takova Omerin dhe i tregova për atë me të cilën më dërgove. Ai më goditi aq fort, sa më rrëzoi përtokë dhe më tha: "Kthehu." Atëherë Profeti ﷺ e pyeti Omerin: "O Omer, çfarë të shtyu të veproje kështu?" Omeri tha: "O i Dërguari i Allahut, flijofsha babë e nënë për ty! A e dërgove Ebu Hurejrën me nallanet e tua që ta përgëzojë me Xhenet këdo që dëshmon se nuk ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, me zemër plotësisht të bindur për këtë?" Ai tha: Po. Omeri tha: "Atëherë mos e bëj këtë, sepse kam frikë se njerëzit do të mbështeten vetëm në këtë dhe nuk do të punojnë. Lëri të vazhdojnë të punojnë." Atëherë Profeti ﷺ tha: "Atëherë lëri."