Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) na njofton se transmetimi i sëmundjeve ngjitëse vetvetiu, nga një njeri te tjetri, pa iu nënshtruar caktimit të Zotit, siç besonin njerëzit e periudhës së injorancës, është koncept i gabuar. Po ashtu, besimi në ogure të zeza është koncept i gabuar. Oguret e zeza nënkuptojnë ndjelljen e së keqes nga gjëra të ndryshme, si: shpendët, kafshët, njerëzit me të meta, numrat, ditët etj., qoftë përmes dëgjimit, qoftë përmes shikimit. Në kohën paraislame, shpendët ishin më të njohur për oguret se gjërat e tjera. Ata e lëshonin shpendin në fillim të një pune qoftë ajo udhëtim, qoftë tregti, qoftë diçka tjetër; nëse shpendi merrte djathtas, ata bëheshin optimistë dhe e ndërmerrnin punën që synonin, e nëse merrte majtas, ata bëheshin pesimistë dhe e linin punën që synonin. Pastaj Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) tregoi se atij i pëlqente optimizmi, i cili nënkupton ndjesinë e gëzimit dhe të lumturisë, që ndjen njeriu nga një fjalë e mirë që e dëgjon nga dikush dhe e bën atë të mendojë mirë për Zotin e tij.