Usame ibn Zejdit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) iu tha: "Sikur të shkoje tek Othman ibn Afani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe t'i flisje rreth fitnes që ka ndodhur mes njerëzve dhe të përpiqeshe ta shuaje atë." Ai i njoftoi se kishte folur me të në fshehtësi, duke synuar kështu dobi (për të gjithë), e jo për të nxitur fitne (trazira). Qëllimi i tij ishte se nuk dëshironte t'i refuzonte e t'i qortonte hapur prijësit para masës, e kështu të ishte shkak që kalifi të kritikohej, sepse kjo është derë për trazira dhe sherr, gjë që nuk donte të ishte i pari që do ta hapte atë. Pastaj Usama (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tha se ai këshillonte udhëheqësit fshehurazi dhe nuk bënte lajka me askënd, madje as me ndonjë udhëheqës. Ai nuk bënte servilizëm me ta e t'i lavëdronte para syve në mënyrë të rreme, pasi që kishte dëgjuar nga Profeti ﷺ se në Ditën e Kiametit do të sillet një njeri dhe do të hidhet në Zjarr, ku zorrët e tij do të dalin jashtë barkut në mënyrë të shpejtë nga nxehtësia e madhe dhe ndëshkimi i ashpër. Ai do të sillet në Zjarr në këtë gjendje, duke u rrotulluar me zorrët e të tij rreth tij, si gomari që rrotullohet rreth gurit të mullirit. Atëherë banorët e Zjarrit do të mblidhen rreth tij në formë rrethi dhe do ta pyesin: “O filan, a nuk ishe ti ai që urdhëroje për të mirë dhe ndaloje nga e keqja?!” E thotë: "Urdhëroja në të mirë, e vetë nuk e veproja; ndaloja të keqen, e vetë e veproja."