Suhejbi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sa e çuditshme që është çështja e besimtarit: gjithçka që e godet atë, është në të mirën e tij dhe kjo nuk është për askënd përveç besimtarit. Kur e kaplon ndonjë begati, ai falënderon, gjë që është në të mirën e tij, e, nëse e godet ndonjë vështirësi, ai bën durim, gjë që është po në të mirën e tij.” Sahih - Transmeton Muslimi
explain-icon

Shpjegimi

Profeti ﷺ është çuditur me çështjen dhe gjendjen e besimtarit, duke e konsideruar këtë si diçka të bukur, ngase të gjitha situatat nëpër të cilat ai kalon, janë të mira për të, e kjo nuk është për askënd përveç besimtarit. Kur e kaplon ndonjë gëzim, e falënderon Allahun për të dhe kësisoj përmes falënderimit merr shpërblim. E, nëse e godet ndonjë hidhërim, duron dhe shpreson shpërblim prej Allahut, e kështu merr shpërblim prej durimit; pra ai është i shpërblyeshëm në çdo situatë.

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Vlera e falënderimit në kohë gëzimi dhe e durimit në kohë hidhërimi. Kushdo që e bën këtë, do të fitojë të mirat e dy botëve, sikundër që kushdo që nuk falënderon për begatinë dhe nuk duron për fatkeqësinë, nuk do të ketë shpërblim por mëkat.
  • Vlera e imanit (besimit), ngase shpërblimi në të dyja rastet është vetëm për besimtarët.
  • Falënderimi në rast gëzimi dhe durimi në rast hidhërimi janë prej virtyteve të besimtarëve.
  • Besimi në kadanë dhe kaderin e Allahut (përcaktimin hyjnor) e bën besimtarin plotësisht të kënaqur me të gjitha rrethanat, ndryshe nga jobesimtari, i cili vazhdimisht zemërohet kur e godet ndonjë e keqe a vështirësi. E kur ky fiton ndonjë mirësi të Allahut, preokupohet me të dhe e braktis adhurimin, madje përmes kësaj mirësie i bën mëkat Allahut.