Përmes këtij hadithi kudsi Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka njoftuar se Allahu i Madhëruar ka thënë se Ai që lëndon dikë nga miqtë e Mi, e zemëron dhe e urren atë, Unë i shpall armiqësinë Time atij. Miku i Zotit është besimtari i devotshëm. Niveli i miqësisë së njeriut me Allahun është sipas besimit dhe devotshmërisë së tij. Ajo që e afron njeriun më së tepërmi me Zotin e tij është ajo që Ai ia ka bërë të detyrueshme, si: bërja e punëve të mira dhe largimi nga punët e këqia. Nëse njeriu vazhdon t'i afrohet Zotit të tij me punë vullnetare, duke i bërë dhe punët e detyrueshme, atëherë ai fiton dashurinë e Allahut. E kur Allahu ta dojë atë, atëherë Ai ia drejton atij këto katër gjymtyrë: I drejton dëgjimin e ai dëgjon vetëm ato fjalë që kënaqin Allahun. I drejton shikimin e ai sheh vetëm atë që Allahu do dhe pëlqen të shihet. I drejton dorën e ai bën me dorën e tij vetëm atë që i pëlqen Allahut. I drejton këmbën e ai shkon vetëm atje ku i pëlqen Allahut dhe vetëm te punët e mira. Veç kësaj, nëse Ai i kërkon diçka Allahut, Ai ia jep atë atij. Kështu, ai bëhet njeri që i pranohet lutja. E nëse kërkon mbrojtjen e Allahut, Ai e mbron atë nga gjërat që i frikësohet. Mandej Allahu i Madhëruar thotë se Unë nuk ngurroj për diçka që do e bëj, aq sa ngurroj kur i marr shpirtin besimtarit. Më dhimbset, ngase ai nuk e pëlqen vdekjen prej dhimbjeve të saj. Kështu, Allahut nuk i pëlqen ajo që i shkakton dhimbje besimtarit.