Nëna e besimtarëve, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), është pyetur për moralin e Profetit ﷺ e ajo u përgjigj me një fjalë gjithëpërfshirëse, kur pyetësin e ktheu te Kurani i madhërishëm, i cili ngërthen në vete të gjitha atributet e përsosurisë. Ajo tha se Profeti ﷺ stolisej me moralin e Kuranit: atë që Kurani e urdhëroi, ai e jetësoi; atë që Kurani e ndaloi, ai u largua prej saj. Pra, morali i tij ishte vënia e tij në praktikë, ndalimi te kufijtë e tij, stolisja me edukatën e tij dhe marrja mësim nga shembujt e tregimet kuranore.