Profeti ﷺ në këtë hadith paralajmëroi kundër betimit në Allahun, ku ai që betohet e di se është gënjeshtar në betimin e tij, me qëllim që të përvetësojë padrejtësisht pasurinë e dikujt tjetër. Një njeri i tillë do ta takojë Allahun ndërsa Ai është i hidhëruar me të. Eshath ibn Kajsi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetoi se Profeti ﷺ e tha këtë kur pati një mosmarrëveshje ndërmjet tij (Eshathit) dhe një hebreu, lidhur me pronësinë e një copë toke. Ata të dy e paraqitën çështjen e tyre te Profeti ﷺ, i cili më pas i tha Eshathit: "Ti duhet të sjellësh prova për ta mbështetur pretendimin tënd. Nëse nuk je në gjendje ta bësh këtë, atëherë mbetet vetëm betimi i kundërshtarit tënd, atij ndaj të cilit është ngritur pretendimi." Eshathi tha: "O i Dërguari i Allahut, atëherë hebreu do të betohet pa hezitim dhe do të ma marrë pasurinë." Atëherë Allahu i Lartësuar e shpalli këtë si vërtetim në Kuran, duke thënë: “Vërtet, ata që e shkëmbejnë premtimin dhe betimin e tyre ndaj Allahut me një vlerë të vogël, nuk do të kenë asnjë të mirë në jetën e ardhshme. Allahu nuk do t'u flasë atyre, nuk do t'i shikojë në Ditën e Kiametit dhe nuk do t'i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.” (Ali Imran, 77) Domethënë: ata që e këmbejnë besëlidhjen e Allahut dhe urdhrin e Tij që besimtarët ta përmbushin amanetin, si edhe betimet e bëra në emrin e Tij duke gënjyer, për një përfitim të vogël të kësaj bote, nuk do të kenë asnjë pjesë në botën tjetër. Allahu nuk do t'u flasë me fjalë që do t'u sjellin gëzim dhe dobi; përkundrazi, Ai do të jetë i zemëruar me ta. Ai nuk do t'i shikojë me shikim mëshire e dhembshurie Ditën e Ringjalljes, as nuk do t'i pastrojë me lavdërim të bukur, e as nuk do t'i pastrojë duke ua falur mëkatet dhe papastërtitë e tyre. Për ta do të ketë një dënim të dhembshëm dhe të rëndë për shkak të asaj që kanë bërë.