Profeti ﷺ në këtë hadith sqaron se, nëse namazliu është në mëdyshje rreth namazit të tij dhe nuk e di sa rekate ka falur, tri apo katër, atëherë të heqë numrin shtesë për të cilin dyshon dhe të mos e marrë për bazë. Në këtë rast trerekatëshi është i sigurt, kësisoj ai duhet të falë rekatin e katërt, pastaj të bëjë dy sexhde para se të japë selam. Nëse realisht namazliu i ka falur katër rekate, atëherë me shtimin e një rekati janë bërë pesë, e dy sexhdet janë zëvendësim për një rekat, rrjedhimisht numri do të jetë çift e jo tek. Ndërkaq, nëse me rekatin shtesë në fakt i ka falur katër rekate, atëherë e ka kryer atë që e ka pasur obligim, pa shtuar e pa cunguar gjë. Dy sexhdet e harresës shërbejnë si poshtërim e mposhtje për shejtanin dhe bëjnë që ai të largohet i përbuzuar, larg nga synimi i tij, sepse ai ia ngatërroi namazin besimtarit dhe bëri përpjekje për t'ia prishur, mirëpo namazi i birit të Ademit u plotësua kur ai e zbatoi urdhrin e Allahut të Lartësuar dhe e bëri sexhden, ndërsa Iblisi mëkatoi kur refuzoi t'i bindet Allahut për t'i bërë sexhde Ademit.