Nëna e besimtarëve, Mejmuneja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka treguar për mënyrën se si Profeti ﷺ lahej nga xhunubllëku dhe se ajo vendosi për të ujë që ai të lahej tërësisht dhe e mbuloi atë me një perde, e sakaq Profeti ﷺ veproi si më poshtë: Së pari: Profeti ﷺ hodhi ujë në duart e tij dhe i lau ato para se t'i fuste në enë. Së dyti: ai me dorën e djathtë, hodhi ujë në dorën e majtë dhe e lau organin gjenital, duke e pastruar atë nga çdo gjurmë papastërtie. Së treti: ai e preku tokën me dorë, e fshiu, pastaj e lau për të hequr papastërtinë prej saj. Së katërti: e shpëlau gojën duke futur ujë në të dhe duke e lëvizur e rrotulluar, pastaj duke e hedhur ujin jashtë, si dhe e shpëlau hundën duke futur ujë në të, pastaj duke e nxjerrë për ta pastruar. Së pesti: lau fytyrën dhe duart deri te bërrylat. Së gjashti: hodhi ujë në kokë. Së shtati: hodhi ujë mbi pjesën tjetër të trupit. Së teti: lëvizi nga vendi i tij (në të cilin po lahej) dhe i lau këmbët në një vend tjetër, ku nuk i kishte larë më parë. Pastaj ajo i solli një leckë, për t'u tharë me të, por ai nuk e mori dhe filloi ta fshinte e ta shkundte ujin nga trupi me dorën e vet.