Profeti ﷺ në këtë hadith ka përmendur se vendimet fetare ndahen në tri kategori: ato për të cilat është heshtur, ndalesat dhe urdhëresat. E para: ajo për të cilën feja ka heshtur: ku nuk ka asnjë vendim fetar për të e, sipas parimit gjërat nuk janë të obligueshme për sa kohë që nuk ka tekst. Gjatë kohës së Profetit ﷺ ishte e obligueshme të mos parashtrohej pyetje për diçka që nuk kishte ndodhur, nga frika se mund të bëhej obligim ose mund të ndalohej për shkak të pyetjes. Allahu i Madhëruar nuk i bëri të obligueshme apo të ndalueshme këto gjëra në formë mëshire ndaj robërve të Tij. Ndërkaq, pas vdekjes së Profetit ﷺ, nëse pyetja është në formë fetvaje ose mësimi për gjëra të nevojshme në lidhje me çështjen e fesë, atëherë na lejohet madje jemi të urdhëruar ta parashtrojmë, e, nëse është në formë kokëfortësie dhe ekzagjerimi, atëherë kjo formë pyetjeje është ajo që duhet ta braktisim sipas këtij hadithi, për faktin se kjo mund të çojë në diçka të tillë si ajo që ndodhi me bijtë e Israilit kur u urdhëruan të therin një lopë e, sikur të thernin çfarëdo lope, do ta kishin zbatuar urdhrin, por ata u treguan të rreptë e për rrjedhojë Allahu u tregua i rreptë me ta. E dyta: ndalesat, që janë gjëra për të cilat mosvepruesi shpërblehet, ndërsa vepruesi dënohet, kësisoj duhet të ruhemi nga të gjitha ndalesat. E treta: urdhëresat, që janë gjëra për të cilat vepruesi shpërblehet, ndërsa mosvepruesi dënohet, kësisoj besimtari duhet t'i zbatojë ato sa të ketë mundësi.