Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë: “Ai që hidhet prej një shkëmbi dhe e mbyt veten, do të jetë në zjarrin e Xhehenemit, ku do të vazhdojë të hidhet në të njëjtën mënyrë pambarim, dhe aty do të qëndrojë përgjithmonë. Ai që pi helm dhe e mbyt veten, do të vazhdojë ta pijë atë helm me dorën e tij në zjarrin e Xhehenemit pambarim, dhe aty do të qëndrojë përgjithmonë. Ai që e mbyt veten me një copë metali, do ta mbajë atë copë metali në dorë, duke e goditur veten në barkun e tij pambarim dhe aty do të qëndrojë përgjithmonë.” Sahih - Muttefek alejhi
explain-icon

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith paralajmëroi kundër vetëvrasjes me qëllim në këtë botë, duke treguar se një person i tillë do të dënohet në Xhehenem Ditën e Kiametit, me të njëjtën mënyrë me të cilën ia mori jetën vetes, si shpërblim i përshtatshëm për veprën e tij. Kush hidhet nga mali dhe vdes, ai do të vazhdojë të bjerë nga malet e Xhehenemit, në luginat e tij, duke qëndruar aty përgjithmonë e pambarim. Kush pi helm për ta vrarë veten, do ta ketë helmin në dorën e tij dhe do ta pijë vazhdimisht në Xhehenem, përgjithmonë e pambarim. Ndërsa, kush e shpon barkun e tij me një copë hekuri, do ta ketë atë copë hekuri në dorën e tij dhe do ta shpojë barkun me të vazhdimisht në Xhehenem, duke qëndruar aty përgjithmonë e pambarim.

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Ndalimi i vetëvrasjes, sepse ajo është prej gjynaheve të mëdha që sjellin dënim të rëndë.
  • Ajo që është përmendur në hadith është vetëm shembull për disa forma të vetëvrasjes. Përndryshe, pa marrë parasysh mënyrën se si njeriu e vret veten, ai do të dënohet me të njëjtën mënyrë me të cilën ia mori jetën vetes. Në Sahihun e Buhariut, është transmetuar se Profeti ﷺ ka thënë: “Ai që ngulfat veten, ashtu do ta ngulfasë edhe në Zjarr, e ai që e ther (godet) veten, ashtu do ta ther edhe në Zjarr.”
  • Neveviu ka thënë: "Sa i përket fjalës së Profetit ﷺ: ". .. ku do të vazhdojë të hidhet në të njëjtën mënyrë pambarim dhe aty do të qëndrojë përgjithmonë.”, për këtë janë përmendur disa mendime: Mendimi i parë: Kjo i referohet atij që e bën këtë vepër, duke e konsideruar të lejuar, megjithëse e di se është e ndaluar. Ky është jobesimtar dhe ky do të ishte dënimi i tij. Mendimi i dytë: Fjala “përgjithmonë” ka për qëllim një kohë shumë të gjatë, jo përjetësi të vërtetë, ashtu siç thuhet: Allahu e bëftë të përhershëm sundimin e mbretit! Mendimi i tretë: Ky është dënimi që meriton, mirëpo Allahu i Lartësuar, nga bujaria e Tij, na ka njoftuar se askush që vdes si musliman nuk do të qëndrojë përgjithmonë në Zjarr."
  • Kjo është prej shembujve të përputhjes së dënimeve në botën tjetër me veprat në këtë botë. Nga kjo, kuptohet se dëmtimi i vetvetes është i ngjashëm me dëmtimin e të tjerëve për nga gjynahu. Kjo sepse njeriu nuk e zotëron shpirtin e tij plotësisht. Ai i përket Allahut të Lartësuar dhe njeriu duhet të veprojë me të vetëm sipas asaj që Allahu i Lartësuar e ka lejuar.