Një grup sahabësh (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) erdhën te shtëpitë e grave të Profetit ﷺ duke pyetur për adhurimet e tij të fshehta brenda shtëpisë. Kur u njoftuan për to, iu dukën sikur ishin të pakta, prandaj thanë: Ku jemi ne në krahasim me Profetin ﷺ? Atij i janë falur mëkatet e shkuara dhe të ardhshme, ndryshe nga ne, që nuk e dimë nëse na janë falur apo jo, prandaj kemi nevojë të bëjmë më shumë adhurim me shpresë që ta arrijmë faljen. Atëherë njëri prej tyre tha: "Unë nuk do të martohem me gra." Tjetri tha: "Unë nuk do të ha mish." E i fundit tha: "Unë nuk do të fle në shtrat." Kur kjo i arriti Profetit ﷺ, ai u zemërua dhe mbajti një hutbe para njerëzve. Ai e lavdëroi dhe e madhëroi Allahun dhe tha: "Ç’është me disa njerëz që thonë kështu e ashtu? Pasha Allahun, unë jam ai që më së shumti i frikësohem Atij dhe jam më i devotshmi! Por, unë fle për t’u forcuar për namazin e natës, agjëroj e pastaj jo, për të pasur forcë në agjërim, dhe martohem me gra. Kush largohet nga rruga ime, e sheh përsosmërinë diku tjetër dhe ndjek një udhë që nuk është e imja, ai nuk është prej meje."