explain-icon

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith na tregoi se mbi muslimanët do të ketë prijës, të cilët do t'i monopolizojnë pasuritë e muslimanëve dhe punët e tjera të kësaj bote, duke i shpenzuar kështu ato sipas dëshirës dhe duke ua mohuar muslimanëve të drejtën e tyre në raport me to. Ata do të bëjnë gjëra në fe, të cilat nuk janë të mira dhe nuk pëlqehen. Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) pyetën se çfarë duhej të bënin në këtë situatë. Kësisoj, Profeti ﷺ u tha atyre se fakti që ata e monopolizojnë pasurinë, nuk ju përligj që ju ta ndaloni atë që e keni të obliguar ta bëni karshi tyre: për t'i dëgjuar dhe për t'iu bindur. Përkundrazi, jini të durueshëm, dëgjojini, bindjuni dhe mos i kundërshtoni në çështjen (që ju është besuar). Hakun që ju takon juve, kërkojani Allahut, si dhe luteni Allahun që t'i përmirësojë dhe ta largojë të keqen e padrejtësinë e tyre!

explain-icon

Mësime nga hadithi

  • Hadithi është një nga shenjat e profecisë së Muhamedit ﷺ, sepse ai tregoi se çfarë do të ndodhte në umetin e tij, gjë që ndodhi siç tha.
  • Lejohet që i sprovuari të informohet për fatkeqësinë që pritet ta godasë, që ta qetësojë veten kur ajo ta godasë e të jetë i durueshëm dhe të shpresojë shpërblimin (tek Allahu).
  • Kapja fort për Kuran dhe Sunet është rrugëdalje nga fitnet (sprovat) dhe mospajtimet.
  • Inkurajimi që t'i dëgjojmë dhe t'u bindemi prijësve (muslimanë) në gjëra të mira dhe të mos bëjmë kryengritje kundër tyre, edhe nëse ata bëjnë padrejtësi.
  • Përdorimi i urtësisë dhe pasimit të Sunetit në kohë fitnesh (trazirash).
  • Njeriu duhet ta përmbushë atë që e ka për detyrë, edhe nëse i ndodh ndonjë padrejtësi.
  • Ky hadith ngërthen në vete rregullën fikhore: zgjedh të keqen më të vogël nga dy të këqijat ose dëmin më të vogël nga dy dëmet.